Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se mbrojtja e skuadrës s tij në humbjen 2:1 kundër Istanbul Baaksehir në Ligën e Kampionëve bëri gabime të pafalshme, por i hodhi poshtë sugjerimet se rrezikon ta humb punën. Paraqitja tejet e dobët e mbrojtjes së Unitedit në pjesën e parë ia mundësoi ekipit turk të krijojë epërsi prej 2:0, dhe pavarësisht golit të Anthony Martial pak para pushimit mes pjesëve, gjiganti anglez nuk ishte në gjendje ta shmangte humbjen.
Solskjaer e ka pranuar se skuadra e tij po ka vështirësi të gjejë pozitivitet, në një kohë kur ndodhet në pozitën e 15-të në Premierligë. Duke folur pas humbjes në Ligën e Kampionëve të mërkurën, Solskjaer tha: “Paraqitja jonë nuk ishte mjaftueshëm e mirë kundër një ekipi që punoi dhe vrapoi”. “Ata shënuan dy herë përmes kundërsulmeve tamam siç ekipet shënojnë në Evropë nganjëherë kur nuk mbrohesh mirë”, shtoi ai.
“Te goli i parë ne e harruam sulmuesin duke e lënë të vetëm dhe kjo është e pafalshme. Ne i falëm dy gola dhe pastaj nuk bëmë mjaftueshëm për t’u rikthyer në lojë në pjesën e dytë”, nënvizoi ai. I pyetur se a i druhet shkarkimit, Solskjaer theksoi: “Refuzoj të komentoj për këtë. Natyrisht se është shumë herët dhe mendime të tilla ka tërë kohën”.