Nga Tara McKelvey, BBC
Gjendja emocionale e personave të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë gjatë gjithë natës ishte e tensionuar. Punonjësit e presidentit dhe zyrtarët e fushatës qëndruan atje gjithë natës dhe e vetmja gjë që ata mund të bënin, ishte të prisnin dhe të pinin alkool. Të martën në mëngjes, gratë ishin veshur me funde, fustane dhe këpucë të kuqe gati për të festuar. Dukej sikur i kishin dërguar mesazhe njëra-tjetrës për kodin e veshjes. Gjatë gjithë ditës dhe gjatë natës, ata prisnin numërimin e votave dhe pyesnin veten se çfarë do të ndodhte. Por kur presidenti doli në avantazh kundrejt rivalit të tij demokrat Joe Biden në Florida, humori u ndryshoi. Tryeza në zyrën e sekretarit të shtypit Kayleigh McEnany ishte e mbushur me shishe vere. Por ata ende ishin të mërzitur, dhe shumë nervozë, megjithëse u përpoqën të tregonin se ishin të fortë dhe kishin besim.
“Po ndihemi shumë mirë”, tha njëra prej tyre. Ajo foli për rezultatin në Florida dhe deklaroi se ata ishin optimistë. Në një zyrë aty pranë, një punonjës i Shtëpisë së Bardhë po përpiqej të qetësonte nervat e kolegut të tij. Qindra ishin të ftuar dhe dukej se festa sapo kishte filluar. Nuk ka asnjë ligj që ndalon presidentin të organizojë një festë në Shtëpinë e Bardhë natën e zgjedhjeve. Por asnjë president tjetër nuk ka organizuar një tubim si ky. Paraardhësit e Trump, qofshin republikanë apo demokratë, u përpoqën të mbanin një distancë midis fushatës dhe qeverisjes. Për të qenë të sigurt, kufiri midis dy aktiviteteve ndonjëherë bëhej i paqartë. Presidentët si Ronald Reagan dhe Barack Obama të dy zgjodhën Shtëpinë e Bardhë si sfond për fushatat e tyre politike. Ata u përpoqën të bënin një dallim midis aktiviteteve të fushatës dhe punës së tyre si president. Natën e zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë Trump, nuk u ndoq kjo linjë. Njëri prej tyre, ishte Gordon Adams, një profesor në Universitetin Amerikan, i cili ka qenë zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për buxhetin e sigurisë kombëtare në 1996. Ai kaloi natën e zgjedhjeve atë vit me Presidentin Bill Clinton në Arkansas. Më pas Adams fluturoi përsëri në Uashington me kolegët e tij dhe më pas mbërriti në Shtëpinë e Bardhë.
“Ishte shumë qetë”, deklaroi ai. “Askush nuk ishte duke festuar.” Kur dëgjoi për festën që Trump kishte planifikuar në Shtëpinë e Bardhë, Adams nuk ishte i kënaqur. Nga ana tjetër, kritikët e presidentit thonë se këto lloj aktivitetesh politike nuk duhet të kryhen brenda kompleksit të Shtëpisë së Bardhë. Në përgjigje të kritikave, Tim Murtaugh, një zëdhënës i fushatës së Trump, tha se kjo nuk ishte kundër rregullave. Murtaugh dhe mbështetësit e presidentit e duan mënyrën se si udhëheqësi i tyre ka ndryshuar gjërat në Uashington dhe ka thyer traditën. Qasja e tij jo-konvencionale mund të jetë pikërisht ajo që mund ta ndihmojë atë të rizgjidhet sërish. Trump u shfaq në një podium dhe mbajti një fjalim. Duke qëndruar para mbështetësve të tij, ai bëri pretendimin e rremë se kishte fituar zgjedhjet.
“Për sa më përket mua, ne tashmë kemi fituar zgjedhjet ,” tha ai. Njerëzit në dhomë ndërkohë brohorisnin. Në fakt, miliona vota nuk janë numëruar ende dhe shumë njerëz që dëgjuan fjalimin e tij u shtangën. Për ta, fjalimi ishte një fundi i një nate të gjatë dhe shqetësuese, një natë që i ngjasonte vetë presidentit – plot befasi.