Vetëm pak ditë pasi festoi 60-vjetorin, Diego Armando Maradona (El Pide D’oro) vdiq pas një arresti kardiak pasditen e djeshme në shtëpinë e tij në San Andres, lagje në periferi të Buenos Aires, ku edhe ishte vendosur prej disa ditësh. Në shtëpi bashkë me Maradonën ndodhej edhe vajza e tij, Giannina. Më 30 tetor Maradona festoi 60-vjetorin, ndërsa vetëm pak ditë më vonë iu nënshtrua një operacioni në tru, për të eliminuar një mpiksje gjaku dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale ishte vendosur në rezidencën ku edhe dha shpirt pasditen e sotme. Tancredi Palmeri, gazetari italian i ‘Beinsport’ dhe ‘CNN’, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka zbuluar se Maradona ka ndërruar jetë në gjumë.
Ai shkroi në ‘Twitter’: “Diego Maradona vdiq në gjumë. Personi i fundit që e pa atë ishte nipi i tij në orën 11:00 një ditë më parë. Psikiatri hyri në dhomë në orën 11.30 dhe tentoi më pas për ta zgjuar, por pa rezultat. Shkaku i vdekjes së tij është patologjia e tij kardiologjike kronike nga e cila vuante që nga viti 2000”. Diego Armando Maradona arriti të shpallet kampion bote me Argjentinën në vitin 1986, ndërsa në karrierën me klube, shkëlqeu me fanellën e italianëve të Napolit, ku fitoi dy tituj kampionë, një Kupë Italie, një Kupë UEFA dhe një Superkupë Italie.