SHËNDETI I TË SAPOLINDURËVE – Ulet vdekshëmria foshnjore, UNFPA mbështetje për uljen e fataliteteve. Vdekshmëria foshnjore dhe shëndeti i të sapolindurve vijon të mbetet një sfidë e rëndësishme e sistemit shëndetësor pavarësisht se statistikat tregojnë ulje të shifrave të fataliteteve neonatal.
Lindja e një fëmije në Shqipëri përvec momentit të lumtur të prindërve, shoqërohet në 28 ditët e para të ardhjes në jetë si një moment brishtësie për mbijetesën e tij. OBSH raporton se në vitin 2015 ndodhën 2.7 milionë vdekje në të gjithë botën, ose afërsisht 45% të të gjitha vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç, prej këtyre rreth 1 milion vdekje neonatale ndodhën në ditën e parë të lindjes dhe rreth 2 milionë në javën e parë të lindjes.
Referuar situatës në Shqipëri sa i takon vdekshmërisë foshnjore dhe shëndetit të sapolindurëve, statistikat zyrtare tregojnë se mesatarisht ka 7 fatalitete për 1000 lindje. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë për vdekshmërinë neonatale, vdekjet e javës së parë pas lindjes (0-6 ditë) përbëjnë rreth 80 % të vdekjeve neonatale.
Por ekspertët e shëndetit janë optimist kur shprehen se ka mjaft arsye për të shmangur fatalitetet të të sapolindurit. Kjo do të thotë, sipas tyre, se më shumë se 80% e të gjitha vdekjeve të të porsalindurve vijnë nga tri gjendje të parandalueshme dhe të trajtueshme: komplikacionet nga prematuriteti, vdekjet të lidhura me lindjen, (përfshirë asfiksinë në lindje) dhe infeksionet neonatale. Komplikacionet e prematuritetit janë aktualisht shkaku i dytë i vdekjeve nën 5 vjeç . Pjesa më e madhe e vdekjeve të të porsalindurve (73%) ndodhin brenda 7 ditëve të para të jetës, dhe kërkojnë të njëjtat investime në sistemin shëndetësor që nevojiten për të përmirësuar edhe shëndetin amtar.
Për të parandaluar dhe trajtuar këto shkaqe ekzistojnë ndërhyrje kosto-efektive të vërtetuara nga evidencat shkencore. Përmirësimi i cilësisë së kujdesit rreth kohës së lindjes shpëton shumë jetë, por kjo kërkon punonjës të trajnuar dhe të pajisur mirë, përfshirë aftësitë e mamive, si dhe ekzistencën e mjeteve e pajisjeve esenciale.
UNFPA përmes programeve të saj në të gjithë botën përfshirë edhe Shqipërinë synon të mbështesë institucionet e kujdesit shëndetësorë në Tiranë dhe ato rajonale(maternitete) me qëllim përmirësimin e shëndetit dhe mirëqënies si për nënën dhe të sapolindurit.
Kjo do të thotë se programet bazohen se me investime të drejtëpërdrejta në maternitetet ku ka nevojë për mbështetje me pajisje dhe ndërhyrje në infrastrukturë ashtu edhe në trajnimet e stafeve të mjekëve, infermierëve dhe mamive.Ndërhyrjet më emergjente UNFPA i realizon në kategoritë të vlerësuar me risk më të lartë si shtatzanitë në moshë të hershme, apo nënat që kanë shfaqur probleme dhe komplikacionet gjatë shtatzënisë së tyre duke rrezikuar jetën dhe të shëndetit të fetusit apo foshnjes.
Në këtë drejtim puna konsiston në edukimin, informimin apo mbështetjen e drejtëpërdrejtë për të krijuar lehtësime për nënat në vështirësi ekonomike.
UNFPA vlerëson se deri në vitin 2017 kontribuoi në shmangien e rreth 119,127 vdekjeve të nënave përmes ndërhyrjeve strategjike në 39 vende me disa nga nivelet më të larta të vdekshmërisë amtare dhe sëmundshmërisë në botë duke përfshirë dhe Shqipërinë.
UNFPA në rolin e saj promovon ndërhyrje, politika dhe udhëzime teknike të bazuara në evidencë për të përmirësuar shëndetin e nënës dhe të porsalindurit në 32 vende me nivele të larta të vdekshmërisë amtare dhe neonatale gjatë fazës së tretë (2018-2022).
Por referuar progresit që ka bërë vendi, të dhënat tregojnë se në vitin 1990 këto sëmundje zinin 4.5% të barrës totale të sëmundjeve, ndërsa në vitin 2010 vetëm 2.0%. Vijon ende përpjekjet për të për të përmirësuar situatën në vend për sa i takon shëndetit të sapolindurëve pavarësisht sfidave epidemike të viteve të fundit.
Studimet tregojnë se shumë vdekje neonatale janë potencialisht të parandalueshme ose të shmangshme, dhe në disa vende të botës është ulur vdekshmëria neonatale jo detyrimisht prej teknologjisë së sofistikuar dhe investimeve financiare, por përdorimit më të mirë burimeve ekzistuese. Për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të neonatologjisë dhe rritjen e aftësive dhe njohurive të personelit shëndetësor, MSH-ja në bashkëpunim me OBSH/UNFPA/USAID ka përgatitur 2 dokumente: “Kujdesi efektiv perinatal” (OBSh) dhe “Reanimacioni i të porsalindurit”, të cilat mund të shërbejnë për përmirësimin e praktikave. Ato duhet të përfshihen si mjete të edukimit të vazhdueshëm të personelit, dhe të bëhen të detyrueshme për të gjithë personelin e çdo institucioni shëndetësor që kujdeset për nënën dhe të porsalindurin.