Në një takim me strukturat e FRESSH-it, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Socialiste nuk do jetë kurrë një parti që do i përdore njerëzit mish për top. Drejtuesi politik i PS për Qarkun, tha se ndarja mes PS dhe partive te tjera është e qartë.

“Kur dëgjoj organizime të tipit: batalioni, divizioni – me terma ushtarakë, – them: luftë me kë? Ne jemi të gjithë shqiptarë. Ti mund të kesh luftë për ide, por të thuash që jemi batalioni i Azem Hajdarit, do vishemi si të fortë e do terrorizojmë Tiranën, është turp për emrin që i kanë vënë, turp edhe për faktin se jemi në 2020 dhe muskujt shihen si epërsi. PS nuk do te jetë kurrë një parti që do i çojë njerëzit mish për top. Për çfarë? Për të bllokuar lodrat tek liqeni. U thonë: “hajde bllokojmë Astirin”, “shqyhemi me policinë”, kurse shefat janë duke ngrënë dreka e darka luksoze. Këto parti jane grupime që i përdorin kryesisht të rinjtë si mish për top,” u shpreh Veliaj. Por, ai siguroi se ndryshe nga partitë e tjera, ku anëtarët e thjeshtë përdoren si mish për top, kurse ata që kapin majat janë fëmijët e ish-drejtorëve, ish-politikanëve dhe njerëzve të drejtësisë, Partia Socialiste nuk ka kete model. Kryebashkiaku tha se ambiciet e Partisë Socialiste dhe të FRESSH-it dallojnë shumë nga ato të çdo forumi tjetër.

“Ti mund të kesh ambicie të pish një birrë falas më një parti në Jalë, por unë besoj se njeriu duhet të ketë një ambicie shumë herë më të lartë. Patjetër, mund të jetë një ambicie, si tek ai forumi tjetër që thoshte se kjo Karta e Studentit nuk të jep një kafe falas, mund ta kesh ambicien komplet mediokre dhe të zgjohesh në mëngjes e të thuash ku do kap një kafe qyl, por kjo është shumë e vogël si ambicie. Ndërkohë, ambicia që ka ky forum është një ambicie tashmë e realizuar. Një pjesë janë deputetë, këshilltarë bashkiakë, një pjesë kanë marrë drejtimin në Njësi dhe besoj që duhet të flasim për këtë ambicie që mund të realizohet në Partinë Socialiste të Shqipërisë,” u shpreh Veliaj. Për të gjitha këto arsye ai tha se edhe vetë anëtarët e këtyre forumeve nuk e gjejnë më veten në lidershipin e partisë së tyre.

“Me një vajzë apo me një djalë të FRPD-së kemi më shumë ngjashmëri ne, sesa Lul Basha, sepse një vajzë e thjeshtë demokrate nuk vë gj oba. Ata nuk kanë pasaporta hollandeze, as vila në Lundër e në Lalëz, ndaj duhet të flasim me ta jo si armiq, jo si kundërshtarë, por si cuna e goca të këtij qyteti të ngjashëm me ne, që i kanë hallet dhe ambiciet si tonat,” deklaroi Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se sfida për Partinë Socialiste është të thyejë rekordin e vet të 2017-ës dhe të dalë më mirë sec doli në rekordin e fundit që pati.