Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2021 kap vlerën e 2.7 miliardë lekëve, ose 11.8% më shumë se në vitin 2020. Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2021, adreson në mënyrë realiste ato që janë prioritetet e mbrojtjes dhe pritshmërisë së aleatëve.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë seancës parlamentare të enjten, u shpreh se, “nëse për vitin 2020 kishim një buxhet sa 1.46 % e Produktit të Brendshëm Bruto, për vitin 2021 buxheti shkon në 1.5% të PBB, çka është në përputhje të plotë me objektivat dhe angazhimet tona në Samitin e Uellsit për ta çuar atë në 1.75% në vitin 2022, dhe 1.85% të PBB në buxhetin e vitit 2023”.

“Në terma nominalë, buxheti i vitit 2021 ka një rritje me rreth 2.7 miliardë lekë ose 11.8% krahasuar me planin e vitit 2020. Por sigurisht, fakti që buxheti është rritur tregon vetëm njërën pjesë të historisë. Sepse rritja e buxhetit, dhe arsyeja përse aleatët këmbëngulin në rritjen e buxhetit për të arritur eventualisht në 2% të PBB, nuk është një qëllim në vetvete. Mënyra sesi shpenzohen dhe produktet për të cilat përdoren këto para është thelbësore. E them këtë, sepse nëse shikojmë historikun e buxheteve të Ministrisë së Mbrojtjes – ata ndër ju që kanë kohë në këtë komision besoj janë në dijeni – është e qartë që shpesh herë buxhetet janë përdorur për gjithçka, përveçse për të çuar përpara angazhimet e prioritetet”, – tha Xhaçka më tej.

“Buxheti i mbrojtjes do të përdoret për mbështetjen e programeve të mbrojtjes të parashikuara për vitet 2021-2023, për të cilat janë hartuar kërkesat buxhetore për: Mbështetjen për personelin; Operacionet brenda dhe jashtë vendit dhe emergjencat civile; Gatishmëria dhe mirëmbajtja; Stërvitjet; Arsimimi dhe kualifikimi; Strukturat dhe angazhimet ndërkombëtare; Modernizimi; Infrastruktura; Mbështetja me mallra e shërbime dhe mbështetja administrative”, – tha Xhaçka. Ministrja e Mbrojtjes vuri në dukje se “ky buxhet mundëson, rritjen e trajtimit financiar përmes rillogaritjes së vështirësive dhe rikthimit të kompensimit të ushqimit për mbi 4 mijë efektivë të FA dhe të kompensimit ushqimor që u hoq nga qeveria Berisha në vitin 2013, vetëm pak ditë përpara se të dorëzonte pushtetin”. Po ashtu, Ministrja Xhaçka vuri në dukje se gjatë vitit të ardhshëm do të zhvillohet dhe Stërvitja Defender 2021. “Një stërvitje dypalëshe me SHBA është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe do të marrim pjesë mbi 8000 trupa amerikane që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura”.

“Kërkesat për stërvitje të FA, janë po ashtu një zë shumë i rëndësishëm sepse këto stërvitje janë jetike për rritjen e performancës dhe profesionalizmit të forcave tona. Ne këtë pike dua të ndaj me ju disa detaje lidhur me një nga stërvitjet më të mëdha që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Stërvitja Defender-2021, një stërvitje dypalëshe me SHBA është e para e këtij lloji në vendin tonë, dhe do të marrim pjesë mbi 8,000 trupa amerikane që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura. Për më shumë detaje nëse jeni të interesuar kam në krah dhe Shefin e Shtabit i cili mund të ndalet dhe më teknikisht nga ana operacionale”, – tha Xhaçka.

“Po kështu duhet të vë në dukje përpjekjen e madhe që është bërë për edukimin dhe arsimimin e ushtarakëve, ku buxheti 2021 na lejon zhvillimin dhe integrimin e mëtejshëm të sistemit arsimor, plotësimin e nevojave materiale e didaktike, zhvillimin e planeve dhe programeve të arsimimit, por edhe stërvitjet, kryerjen e specializimeve, analizave, studimeve e kështu me radhë”, – shtoi ministrja Xhaçka.