Me 538 vota të kolegjit elektoral në lojë, ka gjithnjë një shans, ndonëse të vogël, të një barazimi, me të dy kandidatët që mund të ndalen në shifrën 269.
Kjo mundësi ekziston edhe aktualisht edhe pse gjasat që të ndodhë janë të pakta. Aktualisht, dy kandidatët janë ndaluar në 253 vota të kolegjit zgjedhor për Joe Biden dhe 214 për Donald Trump. Vazhdon numërimi i votave ndërkohë në gjashtë shtete, Georgia, Pensilvani, arizona, Karolina e Veriut, Nevada dhe Alaskë. Një barazim do të ndodhte nëse Donald Trump do të fitonte Arizonën, Karolinën e Veriut, Nevadën dhe Pensilvaninë por do të humbiste Xhorxhian.
Por si veprohet në rast barazimi në zgjedhjet presidenciale?
Nëse asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e votave në kolegjin elektoral, atëherë i takon kongresit të vendosë. Dhoma e përfaqësuesve do të votonte për të zgjedhur presidentin me një votë për delegacionin e çdo shteti. Për të fituar shumicën, një kandidat ka nevojë për 26 vota atje. Zëvendëspresidenti do të zgjidhej nga senati me 100 senatorët që do të votonin. Dhe do ti takonte anëtarëve të kongresit të zgjedhur në 2020 që ta kryenin këtë mision edhe pse disa nga garat nuk janë përmbyllur ende. Kushtetuta amerikane vendos një ultimatum; mandati i presidentit skadon mesditën e 20 janarit.
Nëse kongresi nuk ka zgjedhur një fitues deri atëherë, ka një linjë suksesioni të përcaktuar në ligj. I pari në linjë është kreu i dhomës së përfaqësuesve, aktualisht Nancy Pelosi, e ndjekur nga anëtari i dytë më i lartë i senatit, aktualisht Charles Grassley. Kjo nuk ka ndodhur në fakt asnjëherë në historinë e SHBA ndaj është e paqartë se si do të funksiononte në praktikë.