Nga Artur Ajazi

Lulzim Basha e di fare mirë se, vendimtare në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 për partinë e tij, natyrisht do të jetë vota e bazës, dhe jo ajo e shumicës së shqiptarëve. Vota e bazës, do të tregojë realitetin dhe vlerësimin real që ata mbështetës, kanë për lidershipin e PD. Dhe kjo për faktin sepse ajo që ka ndodhur dhe po ndodh pothuajse çdo ditë në oborrin dhe zyrat e asaj partie në Tiranë (pasi në rrethe kjo parti pothuajse nuk ekziston) po tregon se stradegjia e mirëmenduar e Lulzim Bashës për ta denigruar, shkatërruar, por edhe për ta delegjitimuar këtë forcë politike, po bëhet realitet. Tashmë për cilindo anëtar të Partisë Demokatike, një gjë është e sigurtë, kjo parti po shkon drejt vetëshkatërrimit, dhe tashmë në skenar nuk ëszhtë vetëm humbja e zgjedhjeve, por shumë më tepër se kaq, është mbijetesa e kësaj force politike.

Aktualisht PD ekziston sot vetëm në oborrin dhe selinë e saj në Tiranë, sepse në rrethe ajo pothuajse nuk ekziston fare. Nuk funksionojnë strukturat e degëve, seksionet, grupseksionet, kryesitë, kryetari. Në pamje të parë përgjegjësi i vetëm i kësaj situate dramatike për një forcë politike, është kryetari (i emëruar) Lulzim Basha, pasi ai dhe vetëm ai, bëri gjithçka për të arritur deri këtu, në degradimin e Partisë Demokratike, që ajo të mos jetë kurrë më as opozitare dhe as pretendente dinjitoze për të qeverisur vendin vite më vonë. Basha drejtoi për 8 vite me radhë një opozitë anemike, të përgjumuar, në unison me atë që ai nga çadra e quajti “Republika e Vjetër”, duke mos ditur të ndahet nga zakoni i vjetër i një qeverisje të dështuar dhe me plot mëkate. Ai e mori “dhuratë” postin, dhe nuk e mësoi kurrë se, nuk mund të bëhej “luan” duke flakur, sulmuar, dhe kafshuar ata që e mbajtën në krahë kaq vjet. Luli i filloi protestat, dhe kërkoi “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, kur ato fjalë dhe parime ai nuk i njeh dhe nuk i zbaton kurrë brënda oborrit të SHQUPI-t. Luli e kishte vendosur qysh më parë se çfarë do të bënte me çadrën e “lirisë”, duke shpikur “Republikës së Re”.

Duke u sjellë tinëzisht edhe si “mbrojtës i gardës së vjetër në PD”, Luli realizoi marrëveshjen e 17 Majit me Edi Ramën, duke tradhëtuar të gjithë ata që besonin tek zgjedhjet e ndershme, pasi nuk mori siguri që vota nuk do të vidhet nga “paratë e korrupsionit”. Synimi i Lulit ishte dhe mbetet akoma spastrimi i PD nga kundërshtarët, dhe kjo u vërtetua edhe nga qëndrimi i tij i prerë, për të mos lejuar fraksione brënda partisë. Synimi i tij, ishte dhe mbetet denigrimi i PD, dhe kjo duket nga mungesa e qëndrimeve parimore, shkelja e statutit, gënjeshtrat dhe mashtrimet që bëri ai me listat e vjetra dhe të “reja”, largimet masive nga ajo parti, garën e “ndershme” për kryetar, etj. “Kokoshi është katandisur një thelë”. Dhe kjo vlen për Partinë Demokratike sot. Veç kryesisë qëndrore, veç ndonjë strukture që akoma mbahet në këmbë me pahir, sot PD-ja në rrethe gjendet në ditët e saj më të vështira. Pothuajse të gjitha degët e saj në Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokaster, Vlorë, Shkodër, Fier, Dibër, Pogradec, (pa përmendur qytetet e vogla) janë shkrirë, janë shpërbërë, dhe prej vitesh nuk mblidhen as kryesitë, dhe as strukturat e tjera lokale të kësaj force politike.

Edhe shpresa e fundit që kishin ata tek “riorganizimi partisë, afrimi talenteve të reja” apo dhe listat e “reja me emra fituesish, rezultuan dështim. “Armiqtë” brenda PD, nga qendra deri në rrethe, po kërkojnë largimin e Lulit, edhe pse ai gjithë ditën merret me akuza dhe denoncime të sajuara. Për hir të së vërtetës duhet thënë se, shumica e degëve të PD në rrethe mbeten akoma edhe sot e kësaj dite “Berishiste” , dhe kjo për faktin sepse tek Luli ata nuk kanë parë dhe dëgjuar akoma liderin, udhëheqësin, kryetarin. Me lojën e tij amatoreske, Basha, rrezikoi dhe e ndau partinë në 4-5 partiçka të tjera, duke e bërë të pashmangshme disfatën e tij. Lulit përballë kësaj situate, ku PD po shkërrmoqet në mënyrë të frikshme, i mbetet të zgjedhë ose largimin nga posti i pamerituar nga presioni i shumicës brënda partisë, ose të mbetet deri në fund “gjenerali pa ushtarë”, për tu bindur në zgjedhjen e tij më të gabuar politike.