Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha disa orë pas hapjes së qendrave të votimit se “nuk kemi të dhëna që ndonjë vend i huaj të ketë patur sukses në manipulimin ose ndryshimin e votave që janë hedhur”. Mbi 100 milionë amerikanë, ose mbi 75% e numrit të përgjithshëm të atyre që votuan në vitin 2016, morën pjesë në votimet e hershme, ose përmes postës, ose fizikisht, deri të martën në mëngjes.
“Infrastruktura zgjedhore është e fortë”, tha zoti Wolf, duke shtuar se “gjithsesi ne jemi në gadishmëri të lartë”. Zyrtarët amerikanë kishin thënë ditët e fundit se ishin në dijeni të të paktën dy përpjekjeve për të hyrë në sistemet zgjedhore gjatë javëve të fundit, një nga Irani dhe një nga Rusia.