Nga Kamela Banushi
Kur kthejmë kokën nga 2020, çdo ndalesë është VULLNETARIZËM. Krejt lirshëm po shkruaj sot në ditën e vullnetarizmit. Ndoshta nuk kaloj shpesh në rrymën e klishes së përditshme për të komentuar një status, apo për të shkruar rreth një aktualiteti, e ndoshta kështu do të bëj përherë. Ama, në një ditë si kjo të themi diçka kur shumë kemi për të treguar. Fare natyrshëm mendova se 2020 që po e lëmë pas, është një kronikë e gjatë vullnetarizmi. Nga një 2019 tragjike me tërmetin e më pas me kalvarin e një kombinimi dramatik midis tërmeti dhe pandemisë, u gjet një forcë pikërisht aty ku po mendohej se çdo gjë po shkonte për ters.
Isha një ndër vullnetarët e ditëve të vështira të tërmetit. Nga dalja në komunitetin e lagjes ku banoj e deri tek zona më e prekur e Tiranës ajo e Kombinatit pashë që solidariteti më i madh ishte vullnetarizmi, vullnetarizmi ishte vokacioni shoqëror i përbashkimit. Vullnetarizmi i ktheu shpresën, të gjithë atyre që në momente të ndryshme me veten menduan se e humbën përfundimisht. Njerëzit punojnë gjithë jetën për një shtëpi, thotë dikush, e shumë prej atyre që u gjendën menduan për një çast se dhe jetën e patën humbur. Pastaj u gjenda në Thumanë, u nisëm me një grup aktivistësh. U futa në qytezën e rrënojave dhe nga do rrethohesha nga një kalvar njerëzish që shpërndanin, ndihmonin. Dikush ngrinte një çadër, dikush orientonte një familje, dikush mbante një fëmijë në krahë dhe i bënte për të qeshur. Të gjithë ishin vullnetarë. Dukej sikur kaloja në një dokumentar, të cilin nuk po e filmonte askush, askush përveç nesh. Kudo shihje simbolet e organizatave vullnetare Kryqi i Kuq, Unicef, Usaid e të gjithë ata që fshiheshin pas një uniforme përveç një detyre kishin dhe një forcë të brendshme vullneti për tju gjendur kujtdo në ndihmë. Pastaj ishin grupe si tonat, të nisur për të ndihmuar çdo ekip në detyrë qoftë edhe me një ngritje kutije, qoftë edhe me një sistem pakosh, e gjitha ishte një vullnetarizëm. Pastaj kronika vazhdoi. Në një gjendje të përgjithshme globale, edhe vendi ynë përfshihet nga pandemia. Në mes të një momenti karantine, një mendim vullnetar për të ndihmuar një gjysh, një familje, dikë në nevojë ishte vullnetarizmi i rradhës.
Ishin javë që ndoshta ne nuk kemi për t’i harruar kurrë, se ndoshta kurrë nuk do të kthehen më. Pandemia më bëri të trokas në shumë dyer bashkë me vullnetarë të tjerë. Trokisja në dyer dhe takoja familje në nevojë që pasi merrnin një pako apo qoftë dhe një libër, lakohej një buzëqeshje në fytyrën e tyre se nuk ishin vetëm. Vullnetarët e atyre ditëve ishin një mision i madh të cilin në përulësi në hijen e kohës, do ta kuptojmë se ajo ishte një forcë e madhe e shembullit. Muajt u përfshinë nga një valë e madhe vullnetarizmi. Mijëra të moshuar u ruajtën për mos të bërë pazar, duke qenë me mijëra të rinj në komunitet që merrnin listat çdo mëngjës dhe pa përtuar ndihmonin. Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm. Rëndom ne themi se 2020 nuk ishte një vit i mirë, një vit me tragjedi njerëzore, që padyshim që është por nga ana tjetër 2020 është dhe viti i vullnetarëve, e sidomos vullnetarëve të rinj. Të rinjtë u gjendën kudo në këtë 2020 jo të mirë për shumë prej nesh. Nga një dorë e dhënë deri tek një buzqeshje. Ndaj unë nga pak doja ta prekja gjithë këtë rrugëtim të këtyre ditëve pikërisht në një ditë si kjo. Kjo ditë më shumë se në këtë vit nuk do të shkonte për të thënë diçka. Në një vit si ky që do të ndahet shpesh me historinë, do të kujtohet se dhe diçka të madhe treguan vullnetarët, SOLIDARITET.