Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shijak, Durrës, tek 4 prej familjeve që hynë në shtëpitë e reja, të rindërtuara pas dëmtimit nga tërmeti. Familjet e prekura nga tërmeti do ta festojnë Vitin e Ri brenda tyre dhe pas një mundimi e durimi të madh do të jetojnë në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin një vit më parë. Kryeministri Rama u dorëzoi çelësat familjarëve që hynë në shtëpitë e reja dhe pa nga afër punimet e kryera. Rama bashkëbisedoi me kryefamiljarët, ndërsa u shpreh se “shtëpitë e reja janë ndërtuar të forta dhe të bukura”.
“T’i gëzoni bashkë me familjarët tuaj!”, i uroi Kryeministri. Kryeministri Rama tha se “na vonoi Covidi shumë, se do kishim bërë më tepër shtëpi për Vitin e Ri. Na pengoi Covidi për rindërtimin, na bllokoi punën, por prapë shijaksit do i fusim në shtëpi”. Kreu i qeverisë u shpreh se “ka nga ata që kanë ndenjur me qira dhe dalin e thonë kemi ndenjur në çadër, na mbytën komunistët”. Familjarët thanë se “nuk na besohej, bashkia na u gjend që në momentin e parë. Nuk e besonim se do hynim brenda vitit në shtëpi të re”.
Kryetari i bashkisë së Shijakut Elton Arbana tha se “nga 567 shtëpi individuale që po ndërtohen në Shijak vetëm në njësinë administrative Maminas po ndërtohen 50 banesa. Ndërsa në lagjen ku jemi po ndërtohen 20 banesa të reja, 8 kanë përfunduar dhe 13 përfundojnë brenda Vitit të Ri”. Ministri Ahmetaj u shpreh se, “janë 400 banesa që dorëzohen çelësat brenda 31 dhjetorit, ndërsa me ndryshimin e vendimit që bëmë 85 familje që presupozohej t’u ndërtohej banesa për shkak të gjeologjisë nuk do ndërtohet në atë tokë do u jepet shuma e plotë në varësi të banorëve në familje, nga 21-25 mijë euro”.