“Do të vëzhgojmë të gjithë elementët aty ku kemi grumbullime masive, ku kemi rini që grumbullohet më shumë, baret, restorantet jo vetëm tek pjesa e Bllokut dhe shpërndarjen gjeografike të pozitivitetit në Tiranë, por edhe në nivel kombëtar.” Kjo deklaratë e Komitetit të Ekspertëve u shoqëruar me masa kufizuese të lëvizjes nga ora 22:00-deri në orën 6:00, në të gjithë vendin, masa që vijojnë të jenë ende në fuqi për të ndaluar përhapjen e Covid-19.
“Që prej fillimit të pandemisë zona e ish-Bllokut është cilësuar si një nga vatrat kryesore të përhapjes së Covid-19, por ndonëse u morën masa duke vendosur edhe orë policore për shkak të frekuentimit të shumtë të lokaleve në këtë zonë. Sërish kjo zonë vijon të mbetet një vatër e nxehtë e Covid-19”. Epidemiologia Ermelinda Murati thotë se e gjithë Tirana ka raste pozitive me Covid, por 5 janë zonat me numrin më të lartë të të infektuarve:
“Është i përhapur në të gjithë kryeqytetin, janë vatra komunitare, por nuk përjashtohen as vatrat e institucioneve. Vazhdon të jetë problematike zona e Bllokut, Kodra e Diellit, Astiri, Kamza, Fresku.” Në kryeqytet janë afro 12 mijë raste pozitiv Covid. Ekspertët thonë se numri real i të infektuarve është disa herë më i lartë, pasi disa zgjedhin të bëjnë tampon dhe të tjerë vetëm skaner pulmoni.