Nga Albert Nikolla/

Në këtë kohë përkujtimesh, urimi i Bashës me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të cilës PD ia ka humbur vlerën duke e bërë krejt bajate, më kujtoi komedinë e Majakovskit “Çimka”.

Subjekti i kësaj vepre është vërtet interesant: një punëtor i rëndomtë, Prisipkin, ka një “ambicie për një karrierë më të mirë” dhe braktis të fejuarën e thjeshtë proletare për t’u martuar me një mikroborgjeze. Vendosin të martohen, por mjerisht, natën e dasmës, të ftuarit, që ishin të gjithë të dehur, shkaktojnë zjarr në banket dhe vdesin të gjithë, përveç punëtorit tonë Prisipkin, i cili bie në ujë të akullt ku ngrin dhe e gjejnë pas 50 vjetësh. Kur e gjejnë trupin e tij të akullt dhe e sjellin në jetë, për çudinë e të gjithëve i gjejnë në trup një çimkë. Ajo izolohet menjëherë në kopshtin zoologjik, por Prisipkini kërkon leje që të shkojë ta shohë, pasi ai nuk ka asnjë mik në këtë botë, i kanë vdekur të gjithë pasi kanë kaluar 50 vjet.

Prisipkini, sapo zgjohet nga gjumi 50 vjeçar, këlthet: dua çimkën. Basha, pasi zgjohet nga gjumi 30 vjeçar, këlthet derisa i fryhen bulçitë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Nuk mund të ketë ofendim më të madh për Europën sesa përdorimi i kësaj thirrjeje nga ata që e tradhëtuan pasionin studentor të studentëve për Europën dhe lirinë para 30 vitesh.