Pas katër vitesh histori të komentuar nga mediat, portieri i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, Alban Hoxha, ka folur për herë të parë për raportin intim që ka me këngëtaren Çiljeta Xhilaga. Si gjithmonë i rezervuar për këtë marrëdhënie, Albani më në fund ka thyer heshtjen teksa ishte i ftuar në ‘Wake Up’. Pyetjeve se pse janë treguar të mbyllur karshi publikut në lidhje me jetën e tyre private dhe planet e së ardhmes në çift, Albani iu përgjigj: “Kjo është një zgjedhje që nuk duam të bëjmë publike, janë gjëra personale. Kështu që nuk kemi çfarë ndajmë me publikun”. Ndërsa tentativës së moderatorëve për të zbuluar më shumë detaje nga bashkëjetesa e tyre në një shtëpi, Albani iu përgjigj: “Unë u zgjova i pari sot. Stërvitjen e kam herët në mëngjes, kështu që duhet të çohem herët, përveç asaj pjesës që nuk mund të ngrihesh në minutën e fundit dhe të shkosh në stërvitje”. I pyetur nëse është mashkulli që i përgatit kafen e mëngjesit partneres, portieri tha: “Jo jo, deri te kafja jo. Unë çohem pi kafen te lagjja, nuk bëj zhurmë kur çohem herët, që të mos e bezdis!”.
Burime pranë çiftit kanë treguar se ata po planifikojnë martesë dhe fëmijë, një plan që po e mbajnë sekret për shkak se janë supersticiozë. Kujtojmë që një vit më parë mediat publikuan fotot e saj në ambientet e Gjykatës, ku shkoi për të mbështetur Albanin pas arrestimit për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Lidhja e tyre ka pasur ulje-ngritjet e veta, për shkak edhe të ndonjë fotoje të Albanit në club, por që nga vetë këngëtarja ka qenë shumë zhurmë për asgjë. Historia e Çiljeta Xhilagës me Alban Hoxhën nuk është një lidhje e zakonshme, duke qenë se ata kanë bashkëjetuar duke vendosur ta njohin njëri-tjetrin kështu.
Gjatë një interviste tri vite më parë, futbollisti Hoxha u ngacmua edhe për lidhjen me Xhilagën. Ishte viti 2016 kur çifti jo vetëm që komentonin hapur njëri-tjetrin në fotot që postonin në rrjetet sociale, por Çiljeta prej kohësh i ndiqte nga afër ndeshjet e Partizanit dhe bënte tifo për Albanin. Por pavarësisht faktit se Çiljeta i bëri një deklaratë publike duke e komentuar “Dashuria ime”, kur moderatorët i përmendën Çiljetën, Albani nisi të qeshte duke anashkaluar pyetjen me përgjigjen: “Më pëlqejnë shumë këngët e Çiljetës!”.
I pyetur nga Eno Popi dhe Isli Islami nëse Çiljeta do të ishte apo jo në tribunën e stadiumit “Elbasan Arena” për ta ndjekur në derbin Partizani-Tirana, Hoxha dha një përgjigje që nënkuptonte diçka më shumë, ndërsa u shpreh: “Sigurisht që do të jetë! Ajo ka qenë edhe në ndeshje me më pak vlerë; në një sfidë si kjo e derbit do të jetë patjetër. Ajo është tifozja ime më e zjarrtë!”.
Kujtojmë që Albani asnjëherë nuk ka folur hapur për lidhjen me Çiljetën, për faktin se nuk donte të komentohej për lidhjen më shumë sesa për futbollin. Nga ana tjetër, vitet e fundit këngëtarja Çiljeta Xhilaga ishte në qendër të vëmendjes së mediave rozë dhe publikut, për shkak të lidhjes së saj me futbollistin Alban Hoxha. Marrëdhënien e tyre u tha se e zyrtarizuan në vjeshtën e 2018-ës, pikërisht në momentin kur të gjithë mendonin se këngëtarja ishte në një lidhje të komplikuar me të dashurin e saj. Këngëtarja tregoi për të gjithë unazën me gur të madh që mban në gisht, një dhuratë kjo që u tha se ishte e Albanit. Në “Instastory”, Xhilaga postoi foton e duarve të saj dhe Albanit të kapura bashkë, në momentin e zyrtarizimit pa bujë të lidhjes së tyre me fejesë.
E sigurisht që vëmendjen e tërhoi unaza shkëlqyese, gjë që tregonte se marrëdhëniet mes çiftit ishin bërë realisht serioze, pavarësisht faktit se as njëri dhe as tjetri nuk e kishin rrëfyer asgjë publikisht deri në atë moment. Para disa muajsh Çiljeta zbuloi gjatë një interviste planet për martesë, ku nuk hezitoi ta shprehte hapur çfarë ëndërronte të realizonte në të ardhmen. Madje, ajo tregoi se dëshironte shumë një ceremoni martesore buzë detit me njeriun e zemrës. Portieri i Partizanit e prezantoi Çiljetën si të dashurën e tij në festën që organizoi për 30-vjetorin e lindjes, një përvjetor ky që e kaloi mes miqve më të mirë. Dy të dashuruarit u kapën mat në një bar pranë zonës së Liqenit Artificial, ku Çiljeta banon prej katër vitesh.
Gjatë kohës që qëndruan në këtë ambient publik, shkëmbenin puthje e ledhatime në kafe. Portieri i Partizanit dhe këngëtarja janë të dy prindër të vetëm të djemve të tyre. Çiljeta mori kujdestarinë e djalit pas ndarjes nga partneri, ndërsa Albani po rrit vetë fëmijën, pasi bashkëshortja humbi jetën tragjikisht pas lindjes. Duket se ata tashmë ndihen familje e vërtetë dhe ceremonia e martesës do të jetë thjesht një festë private mes familjarëve dhe miqve.