Mjekët, infermierë dhe vetë banorët e Vaqarrit, në periferi të Tiranës e dëshmojnë më mirë se kushdo ndryshimin në ambulancën e tyre, e rindërtuar me standardet më të mira gjatë këtyre muajve të epidemisë.
Kështu shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ndër të tjera thotë se po vijon puna për rimëkëmbjen e shërbimit shëndetësor parësor në të gjithë vendin, edhe pse në periudhë të vështirë pandemie.
“Vijojmë rimëkëmbjen e shërbimit shëndetësor parësor në çdo cep të vendit, pa e ndalur punën, teksa përballemi me sfidën e madhe të pandemisë COVID-19’’, shprehet ministrja.
“Është një ndryshim shumë i madh, ambienti është bashkëkohor. Qendra shëndetësore ka ndryshuar shumë, kështu që edhe pse kam 6 vjet që kam dalë në pension, do të kisha dashur të punoja me kushte të tilla”, shprehet një ish-mjeke e kësaj ambulance.
“Shërbimi shëndetësor në këtë ambulancë është bërë edhe më përpara por nuk ka patur këto kushtet ideale që i kanë të tëra hapësirat për të shërbyer në mënyrë maksimale ndaj pacientit. Gjithçka është e mobiluar dhe shkëlqen”, thotë një mjek.
“Përshtatja e ambientit brenda dhe jashtë është mëse e dukshme dhe në funksion të dhënies së një shërbimi sa më cilësorë për pacientët e komunitetit tonë”, shprehet një tjetër mjeke.
“Më parë qendra ka qenë në kushte shumë të këqija por tani qenka bërë me kushte shumë të mira”, tha një paciente.
Programi i 300 qendrave shëndetësore, është një angazhim direkt i qeverisë për të rehabilituar dhe për të krijuar kushte dhe mjedise të përshtatshme për mjekët dhe infermierët por mbi të gjitha për qytetarët dhe për t’i garantuar këto kudo, anë e mbanë vendit.