Trajneri i Interit, Antonio Conte, i ka kritikuar ashpër kritikët e skuadrës së tij dhe ka këmbëngulur se gabimet e gjyqtarëve ndikuan në eliminimin e zikaltërve nga Liga e Kampionëve, pas barazimin pa gola kundër Shkhtar Donetsk. Interi do ta kishte siguruar kualifikimin në rundin e 16 më të mirëve, sikur ta kishte mposhtur Shakhtarin të mërkurën në San Siro. Derisa sezonin e kaluar zikaltrit përfunduan në vendin e tretë në grup dhe shkuan në Ligën e Evropës, këtë sezon ngelën në pozitën e fundit dhe mbetën jashtë Evropës para Krishtlindjes. Conte ishte dukshëm i tërbuar kur u intervistua nga Sky Sport Italia pas ndeshjes dhe menjëherë i kritikoi gazetarët, të cilët e pyetën nëse lojtarëve të tij u mungoi përkushtimi në një ndeshje që duhej të fitohej patjetër.
“Ju mund ta shprehni mendimi tuaj, e respektoj këtë. Por nuk pajtohem, sepse ne dhamë gjithçka nga vetja dhe bëmë gjithçka që nevojitej. Është e pabesueshme sesi ne nuk e shënuam qoftë edhe një gol në dy ndeshje kundër Shakhtarit, pavarësisht se e dominuam plotësisht”, tha Conte.
“Nuk pajtohem me mungesën e përkushtimit. Lojtarët e mi dhanë gjithçka sonte, prandaj nuk pajtohem aspak. Ne kemi qenë të pafat me referimin dhe VAR-in në Ligën e Kampionëve”, shtoi ai. Analisti i Sky Sport dhe trajneri i njohur Fabio Capello tha se Interit i mungoi përkushtimi dhe dëshira për të fituar me çdo çmim, Conte nuk pati përgjigje. “Nuk kam përgjigje për këtë”.
Ndërsa kur u pyet sesi ka mundësi që Interi barazoi pa gola në të dy ndeshjet me Shakhtarin, në udhëtim dhe në shtëpi, derisa në gusht e fitoi 5:0 në gjysmëfinale të Ligës së Evroipës, disponimi i Contes ndryshoi plotësisht. “Shakhtari i ndryshoi taktikat kundër neve në mënyrë që të na neutralizoj. Ata humbën 5:0, prandaj ndryshuan. Mendo para se të bësh pyetje”.