Shumë tifozë do të habiten kur të shikojnë këtë rezultat, për sa i përket sulmuesit më efektiv në Serie A për vitin 2020. “Sky Sport Italia” llogariti numrin e rasteve që i duhen sulmuesve për të gjetur rrugën e rrjetës dhe rezultati është befasues. Në vendin e dhjetë të kësaj liste kemi mesfushorin e Romës, Henrikh Mkhitaran. Armeni ka një mesatare prej 5.8 goditje për gol, pasi ka arritur të shënojë 13 herë në 76 raste. Në vendin e nëntë pozicionohet Joao Pedro i Cagliarit. Ai ka arritur të shënojë 15 gola në 85 raste, pra një mesatare prej 5.6 goditje për gol.
Renditja vazhdon me yllin e Juventusit, Cristiano Ronaldon. Portugezi ka shënuar 33 gola në 180 raste, me një mesatare prej 5.4 goditje për gol. Në vendin e shtatë është gjiganti i Milanit, Zlatan Ibrahimovic. 39-vjeçari ka një mesatare prej 5 goditje për gol, pasi ka arritur të shënojë 20 gola në 101 raste.
Dhe në vendin e gjashtë kemi një tjetër sulmues të Milanit, Ante Rebic. Kroati ka shënuar 12 gola në 55 raste, me një mesatare prej 4.5 goditje për gol. Vendi i radhës mbahet nga kapiteni i Lazios, Ciro Immobile. Italiani ka një mesatare prej 4 goditje për gol, ku ka shënuar 28 gola në 113 raste. Në vendin e katërt do të gjejmë sulmuesin e Atalantës, Luis Muriel. Kolumbiani ka shënuar 15 gola në 59 raste, me një mesatare prej 3.9 goditje për gol.
Vendi i tretë mbahet nga bomberi i Interi, Romelu Lukaku. Ai ka një mesatare prej 3.7 goditje për gol, pasi ka shënuar 22 herë në 83 raste. Në vendin e dytë renditet lojtari i Romës, Jordan Veretout. Ai ka një mesatare të shkëlqyer, pasi e ka dërguar topin në rrjetë 12 herë në 41 raste. Vendi i parë mbahet nga sulmuesi i Sassuolos, Francesco Caputo. Italiani është sulmuesi më efektiv i Serie A pasi ka shënuar 19 gola në 62 raste për gol, me një mesatare prej 3.2 goditje për gol.