Aksi rrugor Berat-Ballaban (Këlcyrë), është një rrugë e vjetër, shumë e rëndësishme për zonat ku kalon, por e lënë jashtë vëmendjes dhe në dekadat e fundit ka degraduar duke dalë pothuajse jashtë funksionit. Qeveria Shqiptare, përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar, synon rivitalizmin e kësaj rruge, duke planifikuar një ndërhyrje të thellë në gjurmën ekzistuese për t’a rikthyer këtë aks në funksion të plotë. Ky segment rrugor, me një gjatësi prej afro 60 kilometrash, prek katër bashki, Berat, Poliçan, Memaliaj dhe Këlcyrë dhe ju shërben afro 150 mijë banorëve. Ndërtimi i saj është një mundësi më tepër jo vetëm për të shkurtuar distancën dhe kohën e udhëtimit, Berat-Përmet e më tej në Gjirokastër, por edhe për të nxitur zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, deputetët Mirela Kumbaro e Fadil Nasufi, si dhe kryebashkiakët, Ervin Demo, Klemend Ndoni e Gjolek Guci ishin të pranishëm në prezantimin e studim-projektimit të rrugës Berat-Ballaban (Këlcyrë). Ministrja Belinda Balluku e cilësoi këtë rrugë si një projekt të rëndësishëm i cili do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të zonës, por edhe më gjerë. “Një nga kolonat kryesore të strategjive të zhvillimit të qeverisë Rama është padyshim turizmi dhe të gjitha këto zona kanë një potencial të jashtëzakonshëm turistik, qoftë nga ana e turizmit agrokulturor, por qoftë edhe nga ana e turizmit elitar, duke qenë se të gjitha bashkitë që përmendëm janë site të rëndësishme kulturore, të cilat sot vizitohen jo vetëm nga shqiptarët në të gjitha trevat ku ata ndodhen, por edhe nga turistë të huaj”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se për këtë segment do të hartohet një projekt i plotë, i cili do të marrë në shqyrtim dhe japë zgjidhje për çdo problematikë të mundshme, e cila mund të evidentohet gjatë punimeve duke theksuar se banorët e zonave pranë të cilëve kalon kjo rrugë do të kenë akses të drejtpërdrejt në të. Ministrja Balluku njoftoi gjithashtu se në kuadër synimit të qeverisë për të rivitalizuar rrugët historike ka nisur studimi edhe për një tjetër aks, i cili do të prezantohet sapo të jetë gati, për rrugën e Karvanëve. “Po u rikthehemi dhe po kërkojmë të rivitalizojmë rrugë, të cilat kanë qenë të rëndësishme për shqiptarët dhe janë prekur ndër vite. Ne kemi nisur një punë studiuese brenda ARRSH përsa i përket rrugës së Karvanëve, e cila do të lidhë Fierin, Beratin dhe Korçën. Kështu që pas Berat-Ballaban, sapo ne të jemi gati, do të lançojmë projektimin e rrugës së Karvanëve, e cila padyshim do të përmirësojë cilësinë e jetesës së të gjithë qytetarëve, që banojnë në këto zona”, u shpreh Balluku.
Për ministrin Klosi, njëherësh edhe deputet i qarkut të Beratit, ndërtimi i kësaj rruge është një premtim i mbajtur ndaj banorëve të zonave ku ajo kalon, por gjithashtu do të shërbejë edhe si një shtysë për nxitjen e turizmit pasi këto zona ofrojnë mundësi të shumta. “Lidhja me Përmetin dhe më pas lidhja e dy qyteteve të UNESCO, Beratit dhe Gjirokastrës, e bën këtë rrugë jashtëzakonisht të rëndësishme në kuadër të zhvillimit turistik të vendit. Për ne, që e kemi kaluar rrugën, është një rrugë fantastike nga pikëpamja e peizazhit. Rruga vjen si një premtim i kryeministrit në takimet tona të përhershme dhe kur kemi analizuar problematikat që ka qarku i Beratit. Është një rrugë, e cila do të sigurojë padyshim një numër të konsiderueshëm agroturizëm, pasi e gjithë zona njihet edhe për vlerat e saj të kulinarisë”, u shpreh Klosi, duke bërë të ditur gjithashtu se në qarkun e Beratit Qeveria Shqiptare është duke investuar në një sërë projektesh që kanë në fokus përmirësimin e infrastrukturës
Për ndërtimin e këtij segmenti rrugor janë hartuar dy variante, ku pas shqyrtimit do të zgjidhet varianti më i përshtatshëm dhe që plotëson kushtet teknike dhe financiare. Drejtori i ARRSH, në fjalën e mbajtur, bëri të ditur disa detaje teknike sa i takon ndërtimit të këtij aksi “Morëm angazhimin si Autoriteti Rrugor Shqiptar për të bërë këtë projekt ambicioz, i cili është i kategorisë F, me një karrexhatë me dy korsi nga 3 metër. Kemi dy variante të prezantimit. Do të kalojmë në gjurmën ekzistuese, do përmirësojmë rrezet e kthesave dhe gjeometrinë e të gjithë rrugës. Projekti ka në konsideratë zvogëlimin e distancës kohore, lehtësinë e lëvizjes dhe sigurinë rrugore, si dhe shpejtësinë e lëvizjes”, sqaroi drejtori Verdho. Deputetët Kumbaro e Nasufi e cilësuan ndërtimin e kësaj rruge si një mundësi, e cila do të shkurtojë distancën për banorët e këtyre zonave me qendrat urbane, por njëkohësisht do të shfrytëzojnë resurset që ato mbartin sa i takon zhvillimit të turizmit. Projekti u mirëprit edhe nga kryetarët e bashkive nga kalon kjo rrugë, duke shprehur gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në përshpejtimin e realizimit të kësaj vepre.