Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaron se pandemia dhe ndihma e ulët e qeverisë ka çuar në një rritje të varfërisë dhe pamundësisë për shumicën. Ndërsa shpërndan një shkrim të revistës “Monitor” me titull: “PBB për frymë e Shqipërisë sa 31 % e mesatares së BE-së më 2019, më të varfrit e Evropës”, kryedemokrati shkruan në “Facebook”: “Vitin e kaluar shqiptarët ishin më të varfërit në Europë.

Edhe gjatë pandemisë ata patën ndihmën më të ulët në rajon nga qeveria, çka ka çuar në rritje të varfërisë dhe pamundësisë për shumicën. Boll më! Është koha për ndryshim. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për ta”, shkruan Basha në “Facebook”.

Deklarata e kreut të selisë blu vjen në një kohë kur vijojnë diskutimet dhe debati për buxhetin e vitit 2021 që sipas kryeministrit Rama synon rritjen ekonomike dhe uljen e papunësisë. Megjithatë rezerva dhe kritika lidhur me buxhetin ka pasur nga kryedemokrati Basha dhe presidenti Ilir Meta.