Armando Broja ka mposhtur koronavirusin dhe i është bashkuar skuadrës së Vitesses në stërvitje, ditën e djeshme, ndërsa lajmin e ka dhënë vetë klubi holandez. Sulmuesi 19-vjeçar i Kombëtares Shqiptare rezultoi pozitiv në tamponët e kryer disa ditë më parë dhe gjatë kësaj kohe kishte qëndruar në izolim.
Tashmë Broja është gati për të ndihmuar Vitessen në ecurinë pozitive në kampionat, ndonëse vështirë se do të luajë titullar në ndeshjen e fundjavës, pasi nuk ka gjendjen e duhur fizike. Sulmuesi iu bashkua holandezëve këtë shtator në formën e huazimit nga Chelsea dhe deri tani ka arritur të shënojë 5 gola në 11 ndeshje, duke u shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te Vitesse.
Një lajm i mirë vjen edhe nga Italia, pasi edhe kapiteni i kuqezinjve Etrit Berisha ka rezultuar negative në tamponët e fundit dhe ka rinisur stërvitjen me skuadrën e Spalit. Gardiani kuqezi përjetoi një eksperiencë të tmerrshme me koronavirusin, pasi në një moment iu desh të shkonte edhe në spital për trajtim të specializuar, por tani ka lënë gjithçka pas krahëve.