Altin Binaj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë ka bërë sot betimin para Presidentit Ilir Meta.
Ceremonia e betimit u zhvillua në Institucionin e Presidentit të Republikës ku ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, Avokatja e Popullit etj.
Me betimin në Presidencë Binaj merr kështu zyrtarisht detyrën e gjyqtarit në Kushtetuese.
Kuvendi i Shqipërisë votoi në seancën e 17 dhjetorit me 96 vota pro, Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë vendim Kuvendi plotësoi 3 vakancat që i takojnë në këtë gjykatë! Me votimin e Binajt, Gjykata Kushtetuese u bë me 5 anëtarë, bashkë me Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.
Ndërkohë që ditën e sotme pritet të mblidhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe të diskutojë dhe më pas të dërgojë emrat në Presidencë për plotësimin e vakancës së gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Përmes një njoftimi dje KED bëri me dije se do të intervistohen kandidatët Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo. Me këtë zhvillim bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese brenda shihet si një arritje shumë e mundshme nëse Presidenti miraton një prej kandidatëve që i shkojnë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Kujtojmë se vendimarrja në Gjykatën Kushtetuese bëhet me një kuorum prej 6 anëtarësh.
Kushtetuesja duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, e cila edhe ajo nuk është funksionale.