Zyrtarisht, PD mbush sot 30 vjet nga themelimi. E gjen ky përvjetor jubilar të parën parti të pluralitetit politik post-komunist në kohërat më pa shkëlqim të saj, e zgjedhur kjo një fjalë e butë për të mos thënë atë ku realisht ndodhet: në një degradim të paimagjinueshëm.

Jo vetëm në terma elektoralë, ku prej vitesh është në një disavantash të qartë ndaj rivales PS, PD sot ka performancën publike nën një primitivitet politik keqardhës.

Kujtesë-Kur PD do humbte zgjedhjet e para pluraliste, ato të 31 marsit, ngushëllim i elektoratit të saj nën dëshpërim do qe fitorja në pjesën qytetare të vendit. Fillimet e PD-së ishin joshja intelektuale dhe qytetare e saj, të cilat konsideroheshin si një avantazh i madh ndaj PP-së e më vonë PS-së. Të ishe me PD, ishte e ngjashme me një trend rinor, nga ato dehësit, ishte diçka sexy. Por vite më pas, në 2007-ën, kur PD humbte zgjedhjet lokale duke qenë mbi të gjitha në pushtet, përballë faktit se PS merrte pothuaj të gjitha qytetet e mëdha, PD ngushëllohej me avantazhin në komuna me disa sosh të fituara më tepër. Mjaft të kujtohet se sot, shumë qytete që dikur PD-ja i qeveriste, me nga një apo dy mandate, janë shndërruar gati në bastione të PS-së, pa u llogaritur se do fitohen ndonjëherë nga PD. Në krye qëndron Tirana, për të vijuar me Durrësin, Elbasanin, Korçën, Vlorën, Fierin, Gjirokastrën, ndërkohë që arriti të fitojë Kavajën si bastion të PD-së dhe synon “kalanë e fundit” – Shkodrën.

Çfarë ka humbur tjetër?

Të përndjekurit politikë dhe pronarët, ishin dy nga shtresat elektorale bazë të PD-së dikur. Sot ato nuk janë më të tilla në partinë e parë anti-komuniste, e cila as këtë lloj profili s’e gëzon dot. Po ashtu, ka humbur shtresën intelektuale, krenaria e saj dikur, pasi dhe intelektuslisht është në një krizë deri keqardhëse. Ligjërimi në bllok i PD-së sot, i lidershipit të saj, jo vetëm që s’ka azgjë intelektuale, të fisme, qytetare, por është një vrazhdësi dhe varfëri alarmuese. Kjo është gjithsesi më pak e dhimbshme nga fakti më dramatik për të: indentifikimi me dhunën.

Pa reformë

Në pasaportën e PD mungon fjala “reformë”. Në pjesën biografike, ajo mjaftohet me një narrativë dogmatike, ndërkohë që ka mungesë totale të theksimit të një reforme të ndërmarrë për sa ka qeverisur, si dhe të një modeli suksesi në qeverisjen lokale. Padyshim, i ka takuar asaj barra e vështirë e proceseve tranzitive pas marrjes së pushtetit në 92-shin, por mu për këtë arsye mungon fjala “reformë”, me të cilat një forcë politike identifikon veten në një sukses të pretenduar. Nga ana tjetër, anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave, dy zhvillime ndodhur në qeverisjen e saj, kanë qenë më tepër kontekstuale se sa autoriale. Futja në NATO ishte më tepër finalizim në kohë i një procesi që vijonte dhe me qeverisjet e mëparshme, ndërsa liberalizimi ishte një projekt europian nga i cili fituan dhe vende të tjera në rajon. PD-së sot, pas 30 vitesh ekzistencë, i mungon krenaria e një reforme në një aksh sektor.

Vetmia ndërkombëtare

PD ishte ajo forcë që erdhi në pushtet me një mbështetje të qartë dhe të fortë ndërkombëtare, sidomos amerikane – kujtojmë anbasadorin Rajerson krah Berishës. Por në 30 vjet, ajo ka patur fërkime të rregullta me ndërkombëtarët, ku veçojnë me SHBA, deri në pikën e të sotmes, ku e vetmja figurë e huaj afër saj është Doric Pack, pa asnjë peshë në politikën europiane. Nga ana tjetër, përflitet se Berishës apo familjes së tij, SHBA i kanë bllokuar vizën. Ndërsa kreu i saj zyrtar, Basha, vuan profilin e ulët në pasjen e raporteve të pasura ndërkombëtare.

Kryetari

Nëse në fillimet e saj PD ushqehej deri diku nga emri i Berishës si një mjek me reputacion, Basha nuk gëzon asnjë atribut të tillë. Me vetëm pjesën politike, edhe atë pa asnjë ndriçim mençurak, ai vuan mangësinë lindur të mosqënit dot frymëzues. Berisha, sido sido, ka qenë në momente të caktuara i tillë. Basha jo vetëm që nuk e ka këtë, por ka një infantilitet personaliteti që e ka thelluar dhe më krizën e PD-së. Nëse i heq pjesën politike, të vetmin profil identifikues në shoqërinë shqiptare, intelektualisht është një asgjë. Kujtojmë se si një i diplomuar në juridik, në 15 vite karrierë politike nuk ka asnjë fjalëmbajtje mbresëlënëse të natyrës kulturore në sferën juridike.

Bilanci

Dhe në fund, një bilanc elektoral në 30 vite:

-Humbet zgjedhjet e para në mars ’91.

-Fiton zgjedhjet parlamentare në mars ’92.

-Humbet zgjedhjet lokale në maj ’92.

-Humbet referendumin e Kushtetutës në nëntor ’94.

-Fiton (ndonëse me abuzime të rënda dhe kntestime të forta ndërkombëtare) zgjedhjet parlamentare në maj ’96

-Fiton zgjedhjet lokale në tetor ’96.

-Humbet zgjedhjet parlamentare në qershor ’97.

-Humbet zgjedhjet lokale në nëntor ‘2000.

-Humbet zgjedhjet parlamentare në qershor 2001.

-Humbet zgjedhjet lokale në tetor 2003.

-Fiton zgjedhjet parlamentare në korrik 2005.

-Humbet zgjedhjet lokale në shkurt 2007.

-Fiton (diskutueshëm pas një barazimi në mandate) zgjedhjet parlamentare në qershor 2009.

-Humbet zgjedhjet lokale në maj 2011

-Humbet zgjedhjet parlamentare në qershor 2013.

-Humbet zgjedhjet lokale në qershor 2015.

-Humbet zgjedhjet parlamentare në qershor 2017.

Pra, bilanci në total (pa llogaritur Lokalet e bojkotuara në 2010): 5 fitore dhe 12 humbje.

Po ka më rëndë se kaq: pas 30 vitesh, ardhja në pushtet e saj varet nga LSI. Pra nga Ilir Meta e Monika Kryemadhi.

Çdo koment i mëtejshëm është i tepër në provën e një vetëposhtërimi vështirë të imagjinueshëm për një parti historike.