Teksa i afrohemi datës së zgjedhjeve, për aleatët e PD-së objektivi i përbashkët për të larguar Kryeministrin Edi Rama nuk është i mjaftueshëm. Ndaj, ata kërkojnë që së bashku me PD-në, si partinë më të madhe në opozitë, të përcaktojnë formulën e koalicioneve se si do të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Për këtë çështje, këtë javë zhvilluan edhe një takim me kreun e PD-së, ku diskutuan në lidhje me detajet teknike. Në një intervistë pak ditë më parë, kreu i PR-së, aleati tradicional i PD-së, shprehet se nuk mund të humbasin më kohë.

“Pritja e Komisionit të Venecias ka qenë e pavlerë dhe çdo humbje kohe është në dëm të Shqipërisë dhe opozitës. Opozita duhet të bëjë sa me shpejt të qartë: Programin e saj qeverisës si një kontratë me shqiptarët.

Së dyti, trupën e saj qeverisëse që tejkalon lidershipin e opozitës, por bashkon dhe përfshinë shqiptarët më të kualifikuar kudo që janë. Personalisht nuk kam besuar se Komisioni i Venecias do ndikonte apo ndryshonte sjelljen apo vendimet e Ramës. Pushteti me çdo kusht dhe çdo mjet është qëllimi i tij. Rama kundërshtoi SHBA-në, BE-në dhe Britaninë, refuzoi rekomandimet e Bundestagut. Do ishte naive të pritej më shumë nga Venecia, të paktën siç e lexoj unë”, tha Mediu.

Edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka, kërkon që kampi opozitar të procedojë më shpejt në lidhje me përcaktimin e detajeve teknike se si do të dalin në zgjedhje, pasi, sipas tij, opozita nuk ka luksin të humbasë kohë. Sikurse e kemi pohuar shpeshherë, ne kemi qenë në konsultime të vazhdueshme për sa i përket mënyrës së hyrjes në zgjedhje. Sigurisht, ditët në vijim do të kemi takime koordinuese për të përcaktuar në mënyrën përfundimtare sesi do garojmë. Koha nuk është e shumtë, megjithatë kemi të gjithë hapësirën e duhur për t’i dhënë një zgjidhje të mirë çështjes, duke ofruar alternativat më të mira për të maksimizuar votën opozitare”, tha Duka.