Covid-19 ka mbërritur edhe në Antarktidë. Kjo është hera e parë që shënohet prania e sëmundjes në kontinentin e akullt, i cili deri të hënën ishte i fundit që kishte mbetur pa u prekur nga koronavirusi. 36 persona rezultojnë të infektuar në një bazë kërkimore kiliane, 26 prej të cilëve janë personel ushtarak. Lajmin mbi rastet e regjistruara në bazën “Bernardo O’Higgins Riquelme” u transmetua më së pari nga mediat në gjuhën spanjolle, që shpjegojnë se shpërthimi i infeksionit besohet të ketë nisur gjatë dorëzimit të furnizimeve nga anija Detare Sargento Aldea, e cila kishte mbërritur nga Kili.
Kur anija u kthye në portin e Talcahuano-s tre javë më vonë, disa anëtarë të ekuipazhit rezultuan të prekur me Covid-19. Të 36 të infektuarit në Antarktidë janë evakuuar tashmë drejt qytetit kilian Punta, ku janë vendosur menjëherë në izolim ndërsa gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme. Për momentin, të gjitha projektet e mëdha kërkimore në Antarktidë janë pezulluar. Edhe pse kontinenti i bardhë nuk ka rezidentë të përhershëm janë rreth 1.000 shkencëtarë dhe vizitorë që vendosën të qëndronin atje për të kaluar dimrin.