Mbrëmjen e djeshme Juventusi dhuroi një nga paraqitjet më të dobëta dhe u mund pastër me shifrat 0-3 nga Fiorentina në ndeshjen e fundit të këtij viti, duke e mbyllur 2020 në mënyrën më të keqe.

Para pak çastesh në lidhje me këtë ndeshje reagoi ylli më i madh i bardhezinjve, Cristiano Ronaldo. Portugezi në një postim në Instagram shprehet se e djeshmja ishte mënyra jo e duhur për të mbyllur vitin, por i bën thirrje tifozëve të kenë besim te ekipi sepse në fund ata do shpërblehen me suksese.

POSTIMI – “Dje, me një paraqitje të dobët dhe rezultat aspak të pranueshëm, mbyllëm ndeshjet e planifikuara për vitin 2020, një vit i veçantë në shumë mënyra. Stadiume boshe, protokolle Covid-19, ndeshje të shtyra, ndalesa të gjata dhe një kalendar shumë i ngjeshur.

Por këto nuk janë justifikim për asgjë. Ne e dimë se duhet të japim më shumë nga vetja, në mënyrë që të luajmë më mirë dhe të fitojmë në mënyrë më të qëndrueshme. Ne jemi Juventus! Dhe thjesht nuk mund të pranojmë asgjë më pak se përsosmërinë në fushë!

Shpresoj që kjo ndalesë e shkurtër të mund të na ndihmojë të kthehemi më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë, sepse fundi i sezonit është ende larg dhe në fund ne besojmë se edhe një herë, do të festojmë me tifozët tonë. Besoni te ne! Besojini ekipit tonë, aq sa ne ju besojmë ju dhe ne do t’ua shpërblejmë!