Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, u takuan sot për herë të parë me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, për t’u njohur dhe për të diskutuar fuqizimin e bashkëpunimin mes Prezencës dhe këtij institucioni thelbësor për respektimin e shtetit të së drejtës dhe të të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, njoftoi sot Prezenca e OSBE në Shqipëri.
Kohët e fundit, Prezenca e mbështeti Gjykatën në hartimin e një strategjie shumëvjeçare dhe të një plani veprimi, me synimin për të siguruar efikasitetin dhe transparencën e Gjykatës Kushtetuese dhe për të kontribuuar në zbatimin e reformës në drejtësi. Del Monaco i uroi suksese anëtarit më të ri të Gjykatës, Altin Binaj, i cili u betua dje, dhe shprehu besimin e tij se bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse do ta bëjë Gjykatën Kushtetuese plotësisht funksionale shumë shpejt.
Ai theksoi se Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të ndihmojë Gjykatën për të rritur efikasitetin dhe transparencën e saj.