Java në fakt do jetë e pasur me ngjarje astrologjike qysh në ditën e parë. Të hënën më datë 21, është jo vetëm Solstiku i Dimrit, apo dita kur Dielli hyn në shenjën e Bricjapit (këtë vit i shoqëruar edhe prej Mërkurit), dhe drita nis e shtohet, por do duket edhe bashkimi i Jupiterit me Saturnin, në 0 gradë të shenjës së Ujorit. Bëhet fjalë për një ngjarje tejet të rëndësishme nga pikëpamja energjitike, sepse dy gjigandët e qiellit, të ngarkuar me energji të kundërta e plotësuese njëkohësisht, do të takohen. Duhen lumenj fjalësh për të shpjeguar ndikimet e këtij bashkimi të pazakontë, por tani për tani mjaftohuni të merrni vesh që, në historinë e njerëzimit, sa herë që ndodh ky bashkim, ka ndodhur edhe diçka e jashtëzakonshme. Madje, me gjasa, edhe Ylli me bisht i Betlehemit, nuk ka qenë gjë tjetër, veçse bashkimi i Jupiterit me Saturnin e shndritshmëm, e të dukshëm prej Tokës.

Të martën, më datë 22, do shihet një tjetër bashkim i jashtëzakonshëm: Urani do gjendet në fakt në të njëjtat gradë të Hënës së Zezë, në shenjën e Demit. Hëna e Zezë, njohur ndryshe edhe si Lilith, përfaqëson ‘hijen’, atë që është e fshehtë e që punon në thellësi, si në nivel personal, ashtu dhe në atë kolektiv. Urani është ylli që nxit ndryshimin. Shtrëngojini mirë nervat sa herë që ndodh një bashkim i këtillë, nëse nuk doni të rrezikoni shpërthime shkatërrimtare. Rreziku që gjërat të na shkasin nga duart është vërtet i madh, sepse të mërkurën, më datë 23, qielli do përshkohet edhe prej dy energjive të tjera të fuqishme: Marsi tek Dashi do jetë në kuadraturë perfekte me Plutonin tek Bricjapi. Pra, përmbahuni. Ndryshimi është e drejtë dhe detyrë, por shkatërrimi jo.

Thënë këto, shohim si do t’i përballojnë këto ngjarje shenjat e ndryshme, në bazë të përkatësisë së tyre. Shenajt e Tokës do kenë një energji të shfrenuar, falë pranisë së Diellit, Mërkurit dhe Plutonit në Bricjap, dhe Uranit në Dem. Frymë do të marrin edhe shenjat e Ajrit, të cilat kanë nisur të mësohen me energjitë shtesë të Jupiterit dhe Saturnit në Ujor. Rënie e dukshme energjie për shenjat e Zjarrit, ngrohur tashmë vetëm prej Venusit tek Shigjetari dhe Marsit në Dash. E qëndrueshme situata në shenjat e Ujit, të cilat vazhdojnë të mbështeten nga Neptuni tek Peshqit.