Sipas lajmeve të bujshme që vijnë nga mediat argjentinase, duket se Diego Armando Maradona ka përjashtuar tre familjarë nga testamenti i tij.Bëhet fjalë për ish-gruan Claudia Villafane dhe dy vajzat Dalma dhe Giannina. Është me të vërtetë tronditës lajmi i publikuar nga mediat e huaja.

Gazetarët kanë treguar edhe përmbajtjen e dokumentit të redaktuar nga ish-Pibe de Oro në 2016-ën në Dubai. Marrëdhëniet mes Maradona-s dhe vajzat e tij të para nuk ishin aspak të mira. Maradona është konsideruar gjithmonë si një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke rivalizuar edhe me legjendën e Brazilit, Pele.

Ai ka fituar Kupën e Botës me Argjentinën në vitin 1986. I paharrueshëm mbetet goli më dorë ndaj Anglisë në çerekfinale, të cilin e quajti si “Dora e Zotit”. Në të njëjtën ndeshje shënoi edhe atë që është vlerësuar si goli i shekullit, kur e mori topin në mesin e fushës dhe dribloi të gjithë kundërshtarët e në fund e dërgoi atë në rrjetën e portës së Anglisë. Ai ka luajtur me Boca Juniors, Barcelonën dhe Napolin, skuadër me të cilën fitoi edhe dy tituj kampionë në Itali.