Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor në Lushnjë, e cila i është nënshtruar rikualifikimit, po merr dritë formë për t’u ofruar kushte moderne shërbimi qytetarëve. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se “po merr dritë e formë edhe Zyra e DRSHTRR Lushnjë, nga një haur për turp që gjetëm, në një ambient shërbimi optimal”. “Termoizolim, hidroizolim, sistem antizjarr, rrjete e instalime të reja, klimatizim, brandim, pajisje dhe mobilim i ri, ambiente sanitare, dyer e dritare, çdo gjë e re”, bën të ditur DPSHTRR.
Sipas saj, me marrjen edhe të shërbimit të kolaudimit, punimet do shtrihen edhe tek objekti i kontrollit teknik, përfshirë dhe tërë oborrin. “Investimi po kryhet me fondet e DPSHTRR nga të ardhurat takuese prej vetëfinancimit”, – tha DPSHTRR. Godina e DRSHTRR Lushnjë gjendej në kushte të pamjaftueshme për të ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme. Investimi i ri në këtë godinë përfshin sallë të re lejedrejtimi me 10 poste shërbimi, klasë e re e marrjes në provim me 25 poste për kandidatët dhe zyra shërbimi. Investimi ofron për qytetarët cilësi, komoditet e ulje të kohës që u merrte në rastin e Lushnjës, ecejakja drejt Fierit.