Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një intervistë për Report Tv ka deklaruar se objektivi më i rëndësishëm i Parlamentit që do të vijë pas zgjedhjeve të 25 prillit do të jetë bërja e dy ligjeve të reja një për financimin e partive dhe një tjetër për partitë politike.
Balla ka deklaruar se është domosdoshmëri transparenca, duke kujtuar edhe një herë rastin e vitit 2017 me të gjitha dyshimet që lindën për një financim 650 mijë dollarësh në PD, që vinin nga kompani me pronarë rusë.
Ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë hapjes së listave dhe mundësisë që shqiptarët të mos votojnë vetëm për partitë por edhe mes kandidatëve të preferuarin e tyre, deputetin e tyre. Është një zhvillim historik. Venecia ka qenë shumë e qartë në certifikimin e këtyre ndryshimeve. Gjithmonë pas përfundimit të proceseve zgjedhore Kuvendin fillon diskutimet për reformat zgjedhore dhe unë në legjislaturën tjetër, atë të 2021 në shtator, do ta vija theksin te legjislacioni që lidhet me financimin e partive politike dhe me ligjin e partive politike. Duhet ta rrisim transparencën e partive politike. Kujtoj se Shqipëria ka qenë një rast i diskutuar ndërkombëtar sa i përket penetrimit të financimeve të huaja të paligjshme, të dyshimta, sikurse ishte rasti i financimit të PD-së në vitin 2017 për rreth 650 mijë dollarë të firmosura nga Lulzim Basha por që pas investigimit të gazetarëve amerikane rezultoi që ata pagesa vinin nga disa kompani guackë në pronësi të disa shtetasve rusë. Pra në shtator do të duhet që të fokusohemi edhe në ligjin për financimin e partive politike, edhe në ligjit për sa i përket partive politike. Duhet që të kemi disa rregulla të qarta sepse jemi një vend me rreth 120 parti politike por që në zgjedhje paraqiten 20-30″, u shpreh Balla.
Balla vlerësoi punën e bërë këtë vit nga Kuvendi i Shqipërisë, duke e bënë theksin në finalizimin e marrëveshjes së ‘5 qershorit’ dhe emërimin e tre vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
“Kuvendi i Shqipërisë përmbyll sesionin e parafundit parlamentar, teksa sesioni tjetër do të jetë më i shkurtër, për shkak të zgjedhjeve të 25 prillit. Unë jam shumë krenar si kryetar i shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, për përmbylljen e një sërë vendimesh me rëndësi gjatë këtij sesioni. Padyshim dua të vlerësoj faktin se Kuvendi i Shqipërisë ishte institucioni i parë ndër tre institucionet që ka përmbyllur të tria vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Një proces tejet transparent dhe i vlerësuar nga partnerët. Kuvendi ka funksionuar në mënyrë transparente dhe normale përgjatë gjithë procesit të ligjvënies. Ne i qëndruam marrëveshjes së 5 qershorit. Kuvendi përmbylli të gjitha ligjet që u propozuan nga ana e opozitës jashtë parlamentare, amendamente që shpresoj që adresojnë të gjitha sensibilitetet dhe alibitë e tyre të përhershme. Jam i bindur që PD serish do të ketë arsye për tu ankuar”, tha Balla. (Shqiptarja.com)