Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër ambientet e shkollës së re “Ramazan Subashi”, në Marikaj, Vorë, një projekt inxhinierik fantastik, që do të shërbejë edhe si qendër komunitare. Rama tha se, “shkolla ka 9 klasa, 3 laboratorë, klasat e parashkollorit dhe ambientet teknike, rreth 4 mijë metër katrorë ndërtim dhe mbi 9 mijë metër katrorë sipërfaqe të jashtme oborri”. Po ashtu, ai tha se shkolla ka palestra me konstruksion të veçantë beton arme, fushat sportive dhe një serrë, një risi që i përshtatet profilit të zonës por edhe funksionit si qendër komunitare.
“Rindërtimi vazhdon. Qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt përpara”, tha Kryeministri. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se “kjo shkollë është cilësuar si shkolla më e mirë e rindërtimit, ku mësojnë rreth 250 nxënës”. “Palestra ka qenë sfidë inxhinierike. Punimet për ndërtimin e shkollës kanë filluar në 9 qershor dhe presupozohej të mbaronin në 9 dhjetor, por kanë mbaruar para afatit. Është bërë kombinim i ambienteve të brendshme sportive dhe të jashtme dhe kanë ndërtuar edhe një serrë në bashkëpunim me FSHZH-në”, tha Ahmetaj. Ministri tha se “shkolla është konceptuar t’i shërbejë komunitetit, sepse ambientet janë realisht shumë të mëdha dhe moderne”.