Kornisti i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Andrea Canaj ka humbur betejën me virusin Covid 19. Lajmi është bërë i ditur nga vetë TKOB përmes një postimi në Facebook, që thekson se Andrea Canaj u nda sot nga jeta në moshën 59-vjeçare pas një lufte me Covid-19, të cilën nuk e fitoi dot.
Kornisti Canaj e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1988, si kornist pranë Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit dhe nga viti 1990 deri në vitin 2000, ka qenë kornist i parë i Orkestrës. Më pas, ka punuar si kornist i parë dhe në Orkestrën Simfonike të RTSH dhe njëkohësisht ka qenë pedagog pranë Universitetit të Arteve.
Ai është shquar për optimizmin e tij dhe kujtohet me dashuri nga miqtë e tij muzikantë, të cilëve u është gjendur gjithmonë pranë. “Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij”, – thuhet mes të tjerash në mesazhin e TKOB-it.