Situata e përhapjes së pandemisë në Shtetet e Bashkuara po bëhet e pakontrollueshme. Alarmin e jep Anthony Fauci, një nga figurat mjekësore më të njohura në botë pas shfaqjes të COVID-19 në fillim të vitit. Sipas tij, muaji janar mund të japë të dhëna shumë herë më shqetësuese, si pasojë e veprimeve të popullsisë gjatë periudhës së festave.
“Rreziku, është që rritjes së infeksioneve të tanishme t’i shtohen efektet e festave të fundvitit. Kur i lejohet popullsisë të udhëtojë, të darkojë në një ambient të mbyllur, atëherë problemet janë të mëdha. Shpresoj që mos të ndodhin, por më duket pothuajse e pamundur”, u shpreh i shqetësuar virologu amerikan, drejtor i Institutit amerikan për sëmundjet infektive.
Fauci kritikoi administratën Trump për vonesën në fushatën e vaksinimit. Sipas përllogaritjeve, brenda vitit do të duhet të ishin vaksinuar rreth 20 milionë amerikanë, por vendi është ende larg kësaj shifre.