Veliaj: “Fëmijët e tyre i çojnë në Angli e Hollandë, kurse fëmijët e shqiptarëve i përdorin mish për top për politikë; Qytetarët mbështesin transformimin e Tiranës”
Puna për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar nuk është ndalur në Kashar. Sot familja e Dalip Kamberit hyri në banesën e re, ku edhe do të festojë Vitin e Ri. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, i dorëzuan kryefamiljarit dokumentet e pronësisë së shtëpisë. Veliaj theksoi se kjo banesë e rindërtuar është treguesi më i qartë cila është skuadra që ndërton dhe cila ajo që dhunon e prish.
“Ditën sot e nisim me këmbë të mbarë! Ashtu si Dalipi, këtë fat do ta kenë shumë shpejt edhe shumë të tjerë sepse po punohet përditë. Unë besoj se jeta është ndarë midis atyre që punojnë dhe atyre që ose flasin, ose dhunojnë e prishin. Të prishësh është kollaj. Kësaj shtëpie, për të cilën u deshën disa javë për ta ndërtuar, mund t’ia vësh zjarrin për një ditë. Por, ta ndërtosh nga e para është shumë më e vështirë. Të ndërtosh do ide, projekte, fonde, skica dhe një brigadë që punon. I tillë është edhe qyteti, si shtëpia e Dalipit. Jeta qenka e thënë të ndahemi në këtë mënyrë: disa në një skuadër që ndërton, disa të tjerë në një skuadër që vetëm prish”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se kush nxit dhunë për të përfituar politikisht, nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet. “Familja e Klodianit është zemërthyer. Babai i tij, Qazimi, tha të mos këputet asnjë lule, të mos thyhet asnjë pemë, të mos prishet asnjë zbukurim në qytet. Duke prishur semaforët do të kemi më shumë aksidente, duke prishur sinjalistikën do kemi më shumë problematika dhe sherre mes qytetarëve. Kam një pyetje për të gjithë ata që e kanë përdorur dhunën për të bërë politikë: Pse nuk nxjerrin fëmijët e tyre të protestojnë? Por, i çojnë në Angli e Hollandë, ndërsa fëmijët e shqiptarëve i çojnë mish për top për politikë. Për sa kohë që familja e Klodianit kërkon të mos dhunohet, të mos këputet asnjë lule, çfarë halli kanë këta?! Kanë vetëm hallin e punëve të tyre! Këta nuk i fitojnë dot zgjedhjet me votë”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se përfaqësuesit e opozitës duhet, së pari, të japin shembullin e tyre personal, duke ndihmuar një familje në nevojë. “Këta thonë se po të bëhet sherr e shamata, mund të kenë shanse për të fituar. Por, u them se nuk kanë asnjë shans për të fituar, për sa kohë që nuk japin shembullin e tyre, për të ndërtuar një shtëpi. Ata nuk japin shembullin duke ndihmuar, por shtojnë vilat dhe pasurinë e tyre. Ata nuk fitojnë dot sepse nuk fitohet me dhunë e zjarr. Fakti që në 2020 kemi ende ambasada që i marrin drejtuesit politikë të opozitës në telefon dhe u thonë – “Aman, mos e shkatërroni Tiranën” – ky është turp. Ne do vazhdojmë përditë me ndërtimin e shtëpive, duke ndihmuar e bashkëpunuar”, tha ai.
Kryebashkiaku u shpreh se dhuna nuk duhet të kthehet në axhendë politike. “Është e mirëkuptueshme kur zemërimi zgjat mjaftueshëm për të nxjerrë dufin, por jo kur kthehet në axhendë politike. S’janë paratë e shtetit, janë paratë e popullit. I ftoj të gjithë qytetarët që të vijojnë të mbështesin transformimin e Tiranës. Tani që partitë politike të opozitës e kanë marrë mesazhin, edhe nga ndërkombëtarët, dhe kanë ndaluar pagesën e parave për protestat e tjera, ne do u rikthehemi zbukurimeve, jetës normale, rindërtimit të qytetit, do vijojmë me ndërtimin e shtëpive. Kryeministri do vazhdojë me përpjekjet për të sjellë sa më shpejt vaksinën dhe duam që të lëmë pas këtë vit të shëmtuar, për t’u futur në një vit dhe shekull të ri për Tiranën, ku do flitet më shumë për fushatën e vaksinimit, për rindërtimin e shtëpive dhe shkollave, e më pak për dhunën, që s’na ka çuar kurrkund në këto 30 vite”, nënvizoi Veliaj.
Deputetja e PS, Blerina Gjylameti, u shpreh se bashkia dhe qeveria kanë treguar përkushtimin maksimal për të siguruar banesa shumë herë më të mira për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti. “Midis atyre që kanë gjetur modelin e dhunës, shkatërrimit, llumit dhe përbaltjes e jo modelin e ndihmës, të qenit afër të prekurve nga tërmeti e pandemia, ne kemi gjetur modelin e duhur, modelin pranë qytetarëve dhe për qytetarët. Që nga momenti i parë kur ndodhi tërmeti, të gjitha institucionet kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe po vazhdojnë ende t’u japin banorëve atë që presin”, deklaroi Gjylameti.
Ashtu sikundër në zonat e tjera të qytetit, edhe në Kodër-Kashar, janë hapur disa kantiere ndërtimi, ku po punohet çdo ditë për rindërtimin e shtëpive.