Në këtë ditë të fundit të vitit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zgjedhur që të vizitojë familjen e Bajram Karajt, nga fshati Balshaban në Baldushk, e cila do ta festojë sonte natën e ndërrimit të viteve në shtëpinë e re, një vit pasi shtëpia iu shkatërrua nga tërmeti.
Veliaj në komunikimin me familjarët u shpreh se 2021 do të jetë vit i ringritjes për punë të tjera. “Sot është dita e fundit e vitit, por jo dita e fundit e punëve për Tiranën tonë. I urojmë Bajramit dhe bashkëshortes së tij, gëzuar dhe vetëm të mira për vitin që vjen! Viti që iku ishte i jashtëzakonshëm, shumë i vështirë, një vit ku u rrëzuam nga tërmeti dhe pandemia, por u ringritëm më të fortë. Nesër do të gdhihemi për punë të reja, do të vazhdojmë me strehimin e familjeve të tjera, për ta kthyer vitin 2021 në vitin e ringritjes,” u shpreh ai.
“Pas të mbarojë vaksinimi do të festojmë të gjithë, por sot nuk është koha për të dalë në shesh. Bashkia do të sjellë festën në të gjitha njësitë e Tiranës, ku çdo fëmijë mund të shohë fishekzjarrët nga oborri i shtëpisë, ballkoni apo dritarja. Shpresoj shumë që të kemi një natë të qetë, pa incidente, por duke qenë se moti është i vështirë, duam që të paktën qytetarët të frenohen nga festimet e tepruara. Nuk ka nevojë t’i japin makinës të dehur. Nuk ka nevojë të ndezim fishekzjarre me mjete rrethanore. Është shumë, shumë e rëndësishme që secili të japë ndihmën e vet dhe të na kursejë telashet, ndërkohë që fokusohemi te telashet që na sjell natyra dhe sfidat që kemi me motin”, përfundoi Veliaj.