Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka uruar të gjithë besimtarëve krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes, veçanërisht për të gjithë familjet e efektivëve të Forcave të Armatosura.
Xhaçka shprehet se ky vit është krejtësisht ndryshe, por Krishtlindjet janë një ditë shprese dhe besimi për të nesërmen që do vijë më e mirë e më e bukur.
“Janë Krishtlindje krejt ndryshe, në një sezon festash siç nuk i kemi përjetuar kurrë më parë, në një vit të vështirë që na ka sfiduar e sprovuar të gjithëve si kurrë ndonjëherë. Por Krishtlindjet janë një ditë shprese, një mesazh besimi e kurajo për të nesërmen që do të vijë më e mirë e më e bukur pas kësaj kohe kaq të zymtë. Gëzuar të gjithë besimtarëve! Gëzuar të gjithë shqiptarëve! E një urim nga zemra për të gjithë familjet e efektivëve të Forcave të Armatosura, në veçanti për ata që ndodhen sot në krye të detyrës në misione e përfaqësi të NATO-s jashtë atdheut, larg fëmijëve e të afërmve të tyre”, shprehet Xhaçka.