Drejtori ekzekutiv dhe bashkë-themeluesi i BioNTech, Uğur Şahin thotë se ai është i bindur se vaksina e tyre kundër COVID-19 është efektive kundër variantit të ri të koronavirusit të ri në Britaninë e Madhe. Duke folur për AA, shkencëtari turko-gjerman, Uğur Şahin tha se nuk sheh ndonjë problem me efektivitetin e vaksinës së tyre, të cilën ata e zhvilluan me gjigantin e farmacisë amerikane Pfizer, kundër mutacioneve. “Kjo nuk është hera e parë që virusi përjeton ndryshim. Kishte disa mutacione më parë. Kontrolluam të gjitha mutacionet në të kaluarën dhe nuk shohim ndonjë problem. Do të duhen dy javë për të kontrolluar mutacionet e reja, por ne nuk kemi frikë. Duhet të kontrollojmë por nuk ka diçka të tillë që vaksina nuk do të jetë efektive”, tha ai. Duke shtuar se studimet mbi mutacionin e ri në Mbretërinë e Bashkuar janë të kufizuara, Şahin tha: “E tëra që dimë deri më sot është se është e re. Disa njerëz thonë se transmetohet nga personi në person më shpejt. Ne sollëm mutacionet gjenetike në laboratorin tonë dhe do të fillojmë të punojmë mbi të “. Şahin tha se ata besojnë se “edhe nëse 1 për qind e virusit ka mutuar, 99 për qind ende mund të konsolidohen”.

Miratimi i Agjencisë Evropiane të Barnave Şahin tha se është i kënaqur nga miratimi i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) të hënën, duke shtuar se: “Ishte një punë e shkëlqyer për ata që kontribuan në zhvillimin e vaksinës. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm. Jam shumë i lumtur por edhe shumë i përqendruar. Si gjithmonë, duhet të mendoj se cili është hapi tjetër. Nuk ka shumë kohë për emocione”. Ai shtoi se: “Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për ne. Agjencia Evropiane e Barnave jep shembull për vendet tjera. Ne do të dërgojmë vaksinën tek 27 vende dhe ata do të fillojnë vaksinimin. Sigurisht, ne nuk kemi doza të mjaftueshme të vaksinës në fillim, çdo vend do të marrë qindra mijëra doza vaksinash. Në janar dhe shkurt, mbase do të kemi mundësinë të rrisim numrin në 10-15 milionë doza”.

Dërgesa e vaksinave Ai tha se kanë ruajtur doza të mjaftueshme të vaksinave për Turqinë, duke shtuar se bisedimet vazhdojnë dhe se është e mundur të nënshkruhet një kontratë së shpejti. Duke theksuar se zhvillimi i vaksinës ende vazhdon, ai tha: “Punonjësit tanë punojnë si në Gjermani dhe Belgjikë ashtu edhe në SHBA. Vaksina zhvillohet vazhdimisht atje. Tani dorëzimi i parë është i rëndësishëm. Atëherë njerëzit mund të fillojnë të vaksinohen. Ne do të dërgojmë më shumë kur të jetë e nevojshme”. Ai shtoi se vaksinimi nuk është një proces i lehtë pasi ka 500 milionë evropianë që duhet të vaksinohen. “Kjo nuk është shumë e shpejtë. Sipas mendimit tim, duhet deri në verë për të arritur një shkallë të lartë të vaksinimit”, tha ai për AA. Duke theksuar se koronavirusi nuk do të mposhtet kurrë plotësisht, ai tha se ajo që ata duan të arrijnë është të kapërcejnë situatën kur njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi. “Ne mund ta arrijmë këtë nëse të gjithë punojnë mirë dhe mund të shpërndajmë doza të mjaftueshme të vaksinave”, tha ai gjithashtu. “Ne mund ta arrijmë këtë deri në fund të verës”, vuri në dukje ai, duke shtuar: “është më lehtë gjatë verës. Për shkak se virusi është më pak aktiv gjatë verës. Njerëzit janë zakonisht jashtë, ku rreziku i infektimit është më i ulët. Ajo që është e rëndësishme është të mbijetojmë dimrin”. Ai theksoi rëndësinë e arritjes së nivelit të vaksinimit 60-70 për qind përpara fillimit të dimrit vitin e ardhshëm.

Zhvillimi i vaksinës së COVID-19 I pyetur nëse ai do të merrte apo jo vaksinën, ai tha: “Ne po e shqyrtojmë atë tani. Ne duam të bëjmë një numër të vogël të prodhimit për punonjësit. Atëherë unë ndoshta do të vaksinohem”.

Mbështetje e gjerë nga turqit Şahin lindi në provincën jugore Iskenderun të Turqisë në vitin 1965 dhe u transferua në Gjermani kur ishte 4-vjeç. Ai tha se ka të afërm në Turqi dhe bisedon me ta herë pas here. Por, shtoi se ai nuk ka qenë në vendlindjen e tij Iskenderun për gati 30 vjet, duke shtuar se shumica e të afërmve të tij u zhvendosën në qytete të mëdha si Ankara, Stamboll dhe Mersin. “Sigurisht, ata të gjithë janë krenarë dhe të ngazëllyer dhe na dërgojnë urime. Kjo është e bukur”, tha ai. “Unë marr mesazhe të mrekullueshme nga turqit në Gjermani si dhe njerëzit nga Turqia. Ata janë të gjithë krenarë. Mund të kuptoj se çfarë ndiejnë ata. Fatkeqësisht, mund t’iu përgjigjem vetëm disa nga mesazhet e tyre. Ju lutemi përcillni falënderimet e mia për të gjithë ata”.Kur u pyet nëse e sheh veten si një  model, ai u përgjigj: “Jo. Unë isha me fat sepse shkova në kolegj”. “Jam me fat që kam mundur të arrij disa gjëra specifike dhe jam me njerëz të mrekullueshëm. Çdo person, i cili ndjek detyrat dhe talentet e tij, është një model. Unë jam duke bërë atë që çdo person duhet të bëjë”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me rekomandimet e tij për të rinjtë, ai tha se mund të këshillonte vetëm atë që ka bërë deri më tani. “Unë gjithmonë e kam drejtuar veten në dy gjëra: dashuria dhe kureshtja ime për shkencën”, nënvizoi ai. Unë mund t’i rekomandoj njerëzit të gjejnë atë që duan”, nënvizoi ai. “Edhe nëse bëni diçka 10.000 herë, është e rëndësishme ta bëni pa u mërzitur. Ajo që më shtyn është të ndihmoj njerëzit. Është iluminizmi që përcakton drejtimin”, tha ai. I pyetur nëse pret të nominohet për Çmimin Nobel, Uğur Şahin tha se nuk mund ta komentojë atë dhe se ai është i përqendruar në punën e tij./AA/