Një peshkaqen gjigand që peshon rreth 1 ton është kapur nga peshkatarët disa milje detare larg ishullit të Sazanit. Peshkatari Petrit Lamani ka treguar se anija e tij kishte tre dite në det dhe sot në orët e para të mëngjesit vunë re që diçka i tërhiqte.

Sipas tij, ky lloj peshkaqeni është një grabitqar i rrezikshëm, që jeton në një thellësi 500-600 metra. Ai është 6 metra i gjatë, ndërsa dhëmbët e mprehtë e kanë bërë të vështirë nxjerrjen e tij nga rrjetat. Peshkatari i Vlorës tregon se ky peshkaqen është i rrallë, por nuk është hera e parë që në rrjetat e tij bie një specie e tillë, pasi në ujërat e Adriatikut ka peshkaqenë të mëdhenj, por jo kaq të rrezikshëm.