Qeveria e Francës ka paralajmëruar sot se vendi mund të jetojë me kufizimet e pandemisë Covid-19 për një vit, megjithse ka gati vaksinën për shpërndarje në popullatë. Një këshilltar mjekësor i qeverisë tha se ndoshta në vjeshtën e vitit që vjen jeta mund t’i kthehet normalitetit.“Vaksinat janë një burim madhor shprese por nëse marrin në konsideratë kapacitetet e vaksinimit që ne kemi në Francë dhe në Evropë, besoj se do të duhet kohë”, tha imunologu Jean-Francois Delfraissy për rrjetin BFM.
“Prodhimi i vaksinave mund të jetë më i ngadaltë nga sa parashikohej 15 ditë apo tre javë më parë. Ne nuk do të kemi mungesë në vaksina por do të kemi diçka që duhet të shtrihet në kohë”, tha ai. Delfraissy llogariste se rreth 22 milionë njerëz në Francë janë më të dobët se të tjetër karshi koronavirusit, për të cilët do të duhet deri në maj për të vaksinuar të gjithë, para se injeksionet të jepen për të tjerët. I pyetur nëse kjo do të thotë se Franca do të vazhdojë masat e kufizimeve Covid-19 deri në vjeshtën e 2021, ai tha: “Pak e shumë, po.”
Njerëzit në Francë mund të marrin vaksinën e Covid-19 të prodhuar nga Pfizer e BioNTech që prej javës së fundit të dhjetorit, pas dhënies së aprovimit zyrtar nga BE javën që vjen, tha dje kryeministri Jean Castex. Franca ka regjistruar 18,254 raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit, njoftoi dje kreu shëndetësor Jerome Salomon, që ishte shifra më e lartë ditore prej 20 nëntorit.