1. Si nisi debati që ka shpërthyer këto ditë në Shqipëri mbi vendimin e Greqisë për të zgjeruar vijën detare nga 6 në 12 milje?

Debati për çështjen e kufirit detar nisi për shkak të deklaratës së kryeministrit grek Kyrioakos Mitsotakis, ditën e mërkurë, në parlamentin grek, i cili tha se Greqia do zgjerojë kufijtë e saj detar nga 6 deri në 12 milje.

LEXO EDHE:
Vjosa Osmani na lëshoi mbi shpinë ujin e vrullshëm e të turbullt të Lumit Vjosa në një dimër të vështirë
2. Në bazë të cilës konvente ndërkombëtare po vepron Greqia dhe a është një vendim i ligjshëm?

Çdo shtet ka të drejtë të zgjerojë detin e saj territorial deri në 12 milje, vetëm kur e lejon pozita gjeografike, pra kur hapësira detare mes dy vendeve është të paktën 24 milje. Greqia po e zgjeron detin e saj territorial në bazë të Konventës të së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982, e nënshkruar nga të dy vendet.

3. Zgjerimi prej 12 milje i përket të gjithë linjës detare të Greqisë apo vetëm linjës perëndimore me Italinë?

Greqia pretendon se do ta zgjerojë detin e saj territorial nga 6 deri në 12 milje fillimisht në Perëndim drejt Italisë dhe në një fazë të dytë në Egje, drejt Turqisë. Pra, zgjerimi nuk do zbatohet me Turqinë. Kryeministri grek e bëri deklaratën pikërisht në seancën plenare ku u ratifikuan dy marrëveshje për ndarjen e zonave detare mes Greqisë dhe Italisë, si dhe Greqisë dhe Egjiptit.

4. Çfarë parashikon Konventa Ndërkombëtare e detit në këto kushte?

Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982 përcakton se deti territorial i një shteti shtrihet maksimumi deri në 12 milje. Çdo shtet e ka këtë të drejtë. Më 1 qershor 1994, Greqia e ka nënshkruar Konventën e Montego Bay, duke i njohur vetes të drejtën e zgjerimit të detit territorial nga 6 në 12 milje. Por, Greqia theksoi se zgjerimin deri në 12 milje do kryente në një moment më të përshtatshëm.

5. Ky vendim i Greqisë i prek dhe kufirin detar të Shqipërisë?

Vendimi politik i Greqisë për të konkretizuar atë që i ka njohur Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS), prek pjesërisht edhe kufirin detar me Shqipërinë, por Greqia nuk mund ta zbatojë me Shqipërinë parimin e zgjerimit me 12 milje, pasi distanca nga brigjet midis Shqipërisë dhe Greqisë është më pak se 24 milje në të gjithë gjatësinë e detit territorial mes tyre, madje mes Korfuzit grek dhe Pemës së Thatë (pranë Kasamilit) të Shqipërisë, distanca është më pak se 2 milje. Në raport me Shqipërinë, Greqia nuk ka se si të zgjerohet me 12 milje.

6. Çfarë thotë konventa kur distanca mes dy vendeve është më pak se 24 milje?

Në rastet kur distanca mes dy vendeve është më pak se 24 milje dhe nuk mund të zbatohet shtrirja e detit territorial me 12 milje, ndarja bëhet sipas vijës së mesit me distanca të barabarta nga bregu. Vija e mesit mund të modifikohet sipas rrethanave të veçanta që nga ishujt e banuar, gjiret natyrore etj.

7. Perse Greqia po e merr ketë vendim pikërisht në këtë moment?

Vendimi është mesazh politik në kulmin e tensioneve me Turqinë për zonat e influencës në Mesdheun Lindor. Greqia dhe Turqia janë konflikt sa i takon Zonave Ekskluzive Ekonomike në Egje. Turqia ka nisur disa anije për kërkimin e gazit dhe naftës, ndërsa Greqia e ka bërë të qartë se shpime të tilla nuk do të tolerohen, sepse ato zhvillohen në territorin grek. Forcat e armatosura të të dy vendeve vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie. Në këto rrethana dhe kontekst vjen edhe deklarata e kryeministrit grek për shtirjen e detit territorial, duke i dhënë një mesazh Turqisë.

8. Është e vërtetë që Shqipëria ka marrë të njëjtin vendim për 12 miljet detare që në 1990 pa shkaktuar asnjë reagim ndërkombëtar?

Po. Shqipëria, në 9 mars të vitit 1990, me dekret numër nr. 7366, ka depozituar në OKB gjerësinë prej 12 miljesh detare që i njeh Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982. Me këtë dekret, Shqipëria ka ndërtuar hapësirën e detit territoriale, duke marrë legjitimitet ndërkombëtar dhe pa asnjë debat. Shqipëria nuk ka marrëveshje me Italinë për ndarjen e detit, pasi distanca është mbi 24 milje. Shqipëria ka legalizuar gjerësinë e detit të saj territorial në bazë të Konventës.

9. Ky vendim i Greqisë i përket marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë në 2009 që u anulua nga Gjykata Kushtetuese?

Greqia e ka kërkuar disa herë paktin e vitit 2009 përmes përfaqësuesve të saj zyrtarë. Por, vendimi i Greqisë për të kryer zgjerimin e detit territorial nga 6 në 12 milje nuk ka më lidhje me marrëveshjen e anuluar nga Gjykata Kushtetuese. Greqia mund ta realizojë zgjerimin vetëm përmes një marrëveshje të re, e cila duhet të kalojë në disa faze dhe që nuk është në dorë të qeverisë shqiptare.

10. Në ç’pikë janë negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufijtë detare?

Pas anulimit të marrëveshjes në vitin 2010, dy ish-ministrat e jashtëm Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, kanë zhvilluar tre takime në periudhën mars-prill 2018. Greqia shkroi drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në mes të vitit 2019 qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras humbi zgjedhjet dhe në pushtet erdhi ‘Demokracia e Re’ nën udhëheqjen e Mitsotakis. Tashmë ky i fundit duhet të caktojë një ekip të ri për të rinisur negociatat. Nga ana tjetër, në Shqipëri, për të shkuar drejt një marrëveshjes, duhen kaluar disa etapa, që nga ngritja e grupit negociator, autorizimin nga Presidentit, verifikimin e marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese dhe në fund votimi në Kuvend. Pala shqiptare sot nuk ka as grup negociator.

11.A është në kompetencë të qeverisë për të ndryshuar kufijtë detar?

Ndryshimi apo rivendosja e kufijve nuk është në kompetencë të qeverisë, por e katër komponentëve. Qeveria propozon grupin negociator. Grupi negociator duhet të autorizohet nga Presidenti i Republikës për të negociuar, ndryshe është i paligjshëm. Grupi negociator përgatit një marrëveshje e cila do të verifikohet nga Gjykata Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese jep ‘ok’, në fund votohet nga Parlamenti Shqiptar.