Tregu i gjelave të detit në Baldushk është kthyer në traditë për festat e fundvitit në Tiranë. Në prag Krishtlindjeje dhe Viti të Ri, tregu shndërrohet shpejt në një pikë reference për familjet tiranase. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi sot qytetarët që të konsumojnë produkte vendase, si një mënyrë për të ndihmuar edhe familjet e zonës. “Me blerjen e një gjeli deti, nuk blen vetëm drekën apo darkën e fundvitit, por kontribuon për të ardhmen e çunave dhe gocave të shkëlqyer të Baldushkut. Ua them të gjithëve – blini gjelat e Baldushkut – jo vetëm sepse janë më të mirët në Shqipëri, por është mënyra më e sinqertë për t’u treguar solidarë me familje që punojnë shumë dhe që kanë vuajtur shumë nga ky vit i vështirë. Blini gjelat e Baldushkut si mënyrë shumë e mirë për të mbajtur paratë në ekonominë e vendit”, tha Veliaj.
Ai shtoi se edhe shpërblimi i qeverisë për pensionistët është një lajm i mirë për festat. “Jam krenar për qeverinë socialiste, e cila i dhuroi çdo pensionisti 50 mijë lekë për festat. Është mënyra më e mirë për të pasuruar tavolinën ku mblidhemi me miqtë dhe familjen”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të tregohen solidarë në këto festa të fundvitit, duke ndihmuar një familje në nevojë. “Kushdo që ka pak mundësi, që njeh një pensionist të vetmuar apo një familje fqinje në nevojë, mund ta ndihmojë”, tha ai. Agjencia për Administrimin e Tregjeve e Bashkisë së Tiranës po kryen monitorimin e vazhdueshëm të tregjeve. Këtë vit ka një rritje të konsiderueshme edhe nga ana e fermerëve në numrin e krerëve të matrikulluar të gjelave të detit dhe rritjen e tyre.