Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se as që bëhet fjalë të ndërtohet hidrocentral në lumin Vjosa, në Valbonë apo në ndonjë zonë tjetër të mbrojtur. Sipas ministrit Klosi, është jashtë çdo logjike që të mund të ketë investime të çm endura në zona të tilla, ndërsa theksoi se aleanca për mbrojtjen e mjedisit është një sukses, gjatë këtyre viteve që ai drejton këtë dikaster.
“Nuk ja del dot një ministër që të bëjë vepra që shkojnë kundër opinionit publik. Nuk ka problem të ndërtosh edhe në Valbonë, dhe një hotel i ri aty i bën shumë mirë zonës, por ndërkohë zona vazhdon të ruhet. Unë i bllokova dy HEC-e të reja, por ato që ishin në zhvillim nuk mund t’i bllokonim. Sa i përket Vjosës është vlerë natyrore. Kjo bëri që propozimi për HEC në Kalivash të kthehej negativ dhe të kishte prioritet mbrojtja e mjedisit. Në këto 3 vite e gjysmë si drejtues i kësaj ministrie them se zonat e mbrojtura kanë pasur shumë rëndësi, të cilat janë shtuar, por janë bërë edhe ekzemplare. Pra, nuk kemi pasur asnjë dëmtim të tyre. Madje, viti 2020 i promovoi edhe më shumë. Tani mbrojtja është e plotë. Është jashtë çdo logjike që të mund të ketë një investim të ç mendur në Valbonë, në Vjosë apo në zonat e tjera të mbrojtura. As që bëhet fjalë! Gjithë kjo aleancë për mbrojtjen e mjedisit është një sukses”, tha Klosi.