Igli Tare zbulon se ka pretenduar që Sokol Cikalleshi të kishte bërë më shumë me karrierën e tij. Në një intervistë për emisionin “Ditë e Re”, në Ora News, drejtori i Lacios shprehet se sulmuesi kavajas e ka intriguar gjithnjë, por thekson se ai nuk ka punuar mjaftueshëm për karakteristikat që ka pasi është gjynah që me ato karakteristika ta humbasësh karrierën në kampionatin turk, kur mund të ishte shumë më lartë.

“Doja të thoja një shprehje të bukur që ka lidhje me pyetjen që më bëre. ‘Topi është për të gjithë, por futbolli për pak njerëz’. Me këtë shprehje nënkuptohen shumë gjëra. Unë e kam thënë e para disa vitesh lojtari që më intrigon më tepër është Sokol Cikalleshi. Është një lojtar që ka karakteristika shumë të mira si futbollist, por për këto karakteristika që ka, ka punuar shumë pak në jetën e tij dhe është gjynah që ta humbasësh karrierën tënde në një kampionat si ai turk. Me gjithë respektin që kam për kampionatin turk, por ai lojtar duhet të kishte bërë shumë më tepër në karrierën e tij sepse për llojin e tij është një lojtar i cili është shumë i domosdoshëm për kombëtaren shqiptare”, u shpreh Tare.