Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet e aksit “4 rrugët” në Shijak që lidh Xhafzotaj me Ndroqin dhe Plepat. Ky aks përmirëson aksesin për rreth 40 mijë banorë. Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana i cili inspektoi punimet së bashku me kreun e qeverisë u shpreh se, “kjo është një rrugë nga 4 rrugët në Pjezë, 30 vite që nuk është asfaltuar dhe nuk është bërë asnjë lloj ndërhyrje. Dhe sot është dita e parë që po nisim punimet për asfaltimin e të gjithë perimetrit dhe gjatësisë së rrugës që është 4.3 kilometra”.

“Paralelisht me investimin e rrugës, Ministria e Bujqësisë, Bordi i Kullimit, ka bërë edhe kanalin që është kanali vaditës që fillon nga Ndroqi dhe prek të gjithë zonën e Shijakut. Është viti i parë që të gjithë tokat arë sot vaditen nga kanali, i cili ka përfunduar”, tha Arbana. “Me këtë plotësohet kërkesa e banorëve të 4 rrugëve që e kishin problem?”, pyeti kreu i qeverisë.

“Kjo është e dyta se kërkesa e parë është plotësuar me aksin 4 Rrugët – Rrushbull. Kjo është pjesa e dytë”, tha Arbana. “Tani i kemi bërë Shijakut për kaq pak kohë, çfarë nuk është bërë për 30 vite nga këta që vinin këtu me dy gishta në sy. Çfarë të themi më shumë tani. Është bërë në Shijak gjithë ky transformim. Patjetër ka dhe të tjera për të bërë e dimë shumë mirë, por hap pas hapi. Gjërat e mëdha bëhen duke bërë çdo ditë nga një përparim të vogël”, u shpreh Rama.