Italia vijon të mbetet shteti më i goditur nga Covid-19, gjithsesi, kjo nuk e ndalon që të dalë nga zona e kuqe. Në 24 orët e fundit janë shënuar 18887 të infektuar të rinj, teksa 564 pacientë humbën jetën, duke e dërguar shifrën e viktimave në mbi 60 mijë që nga fillimi i pandemisë. Por duke nisur nga nesër, 7 dhjetor asnjë territor Italian nuk do të ketë këtë regjim izolimi të plotë, çka do të thotë me rrëzik mjaft të lartë infektimi.

Shteti fqinj do të jetë i ndarë vetëm në zona të verdha dhe portokalli. Në zonat portokall, lokalet e restorantet do të qëndrojnë të mbyllura 24 orë ndërsa në zonat e verdha janë të hapura deri në orën 18.00. Në zonat portokalli ndalohet lëvizja nga një komunë në tjetrën brenda së njëjtit rajon. Gjithashtu, ndalohet hyrja e dalja nga këto rajone pa motive shëndetësore, pune apo të jashtëzakonshme.