Reshje bore dhe erëra të forta, moti i keq ka përfshirë disa rajone të Italisë, duke krijuar jo pak problem sidomos në veri. Në Liguria, sipas mediave vendase, ka pasur ngërçe të mëdha të trafikut dhe radhë të gjata në autostradën A7, mes Busallas e Genova Bolzanetos. Disa kamionë dhe makina kanë mbetur të bllokuara për orë të tëra. Drejtuesve të mjeteve, të mbetur në rrugë u kanë ardhur në ndihmë skuadrat e mbrojtjes civile që sollën me vete batanije, pije të ngrohta e ushqime. Reshjet e dendura të borës kanë bërë që të vendoset kodi i kuq për autostradën A6, ku u ndalua përkohësisht kalimi i makinave të tonazhit të rëndë, çka ngjalli zemërimin e presidentit të Ligurias, Giovanni Toti ndaj Autostrade per l’Italia.

Toti shkroi në Facebook se ajo që ndodhi në rrugët e këtij rajoni, është e papranueshme. Organizatat sindikale gjithashtu e quajtën një turp faktin që pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme mbi përkeqësimin e kushteve atmosferike, ai sërish I gjeti autostradat e Ligurias, fare të papërgatitura. Përkeqësimi i ndjeshëm i motit në Liguria u materializua jo vetëm me borë, por edhe me reshje të rrëmbyera shiu, sidomos në provincën e Gjenovës.