Ky ka qenë një vit i gjatë, i vështirë dhe shumë i lodhshëm për të gjithë. Në Itali, një ndër vendet më të goditura nga pandemia, për muaj të tërë ka mbizotëruar frika e shqetësimi, por sondazhet e fundit tregojnë se italianët tani janë duke reaguar ndryshe. Është shtuar zemërimi, intoleranca e ndjenjë e vetmisë, ndërsa 60% e të intervistuarve shprehen të lodhur nga fakti që duhet të kufizojnë jetën e tyre sociale.
47% thonë se u ka ardhur në majë të hundës edhe maska e 30% nuk duan të respektojnë më as distancat sociale. Mediat vendase thonë se klima shoqërore ka ndryshuar shumë në krahasim më valën e parë të sëmundjes, e këtu duket ndikon dhe kriza ekonomike.
“Shprehje të tilla si do të shkojë çdo gjë mirë, apo prej kësaj do të dalim më të fortë, kanë avulluar”, thotë Corriere della Sera. Sot, edhe pse janë sërish pakicë, është shtuar ndjeshëm numri i italianëve që shprehen të pakënaqur me masat kufizuese. Italia raportoi një ditë më parë, 533 vdekje të reja nga koronavirusi, çka e çoi në mbi 70 mijë bilancin total të viktimave. Infektimet e reja në 24 orët e shkuara ishin 14522.