Një lajm lehtësues për të gjithë dritat portokalli që jane ndezuar nëpër Shqipëri, për buxhetet e zgjeruara të miqve ndërkombëtarë, për shoqatat e grave, aktivistët dhe aktivistet, mediat feministe dhe blogereve intelektuale: sapo u bënë të gjihta të panevojshme. Për mirë apo për keq paskeni qene 100 vite para kontekstit shqiptar. Nëse mendoni që po flas përçart atëhere po jua kursej spekullimin. E gjeni këtu linkun e asaj që ndodhi mbrëmë.

Pasi e sheh, pyet veten cila është pika ku përfundimisht duhet ti shkul leshtë e kokës? Kur Gjekmarkaj i referohet kanunit si “kulti i gruas” kur thote “kjo po të kishte vella”, kur Çupi përsërit fjalën “histerike” apo kur Vasili e mbyll me gjest dëshpërues publiciteti episodin e cirkut të titulluar “Pse tha Merkeli jo?”. Unë nuk e di ju, po megjithëse i rezistova deri në pafundësi grackës shqiptare ku për çdo sherr fajin e ka gruaja, nuk mund të mos jem më e trishtuar, ofenduar, dhe e neveritur nga sjellja, e së vetmes grua në tavolinë. Sepse ajo së bashku me shokët e saj të mbrëmshëm kanë dhunuar më dhunshëm se çdo dhunues të gjitha gratë shqiptare kolektivisht, duke mos e kuptuar që degradimi më i madh po i ndodhte nga ai që i doli në mbrojtje.

Asnje grua me vetrespekt mbrëmë nuk u përfaqësua nga Grida Duma, që në një moment mori pozitën feministe të gruas së sulmuar për shkak të gjinisë, pastaj kërcënon, dhe në fund ul kokën si pulë sepse kërcënimi i shokut doli të ishte më serioz. Per ilustrim, nëse ke qenë në gjimnaz në vitet ‘90 këtu në Tiranë, ka pasur një kontigjent dashnoresh ‘alidemsa’. Përgjithësisht synonin të kapnin gocat e vitit të parë, të cilat nuk lejoheshin as të shoqerohshin e as të qeshnin me njerez te tjerë, se tani i kishte në mbrojtje Ai, Lepri , Macoku, Ariu apo shkurt Visi Zanës. Kto ishin gocat që nuk e kishin problem të benin sherre e të vleresonin syrin e nxirë të shokut të klasës që kishte refuzuar t’i jepte detyrat, apo dhe të vetin kur ishte zgjuar shtrembër Maçoku. Kto ishin goca qe nuk e kishin problem te fusnin ne grackë të tjera goca që të painteresuara ngacmoheshin agresivisht nga shoku i ngushtë I Maçokut, dhe bëheshin bashkëdhunuese me banden e tij. Jo vetëm që nuk ua rrokte mendja se ishin vetë të dhunuara por përkundrazi ndiheshin të mbrojtura dhe të llastuara dhe nuk e kuptonin neverinë që shkaktonin tek shoqet sa herë që të nxirat e krahut i tregonin si trofe.

Dje më është dukur vetja njësoj e neveritur si tek Ismaili në vitet 90’; njëjsoj si atëhere kur vajzat e tjera për shkak të laraksllikut të dashnorëve të alidemsave ndiheshin të pambrojtura, të pakuptuara, të lënduara dhe të pavenda. Kuptova me shume trishtim se sa larg jemi nga dritat me ngjyra. Nëse ende i referohemi kanunit në ‘prime time’ dhe nevojës së një burri për të vënë në vend nderin e gruas, nuk kemi lëvizur asnjë cm nga mesjeta. Ndaj djem e vajza, burra e gra mendjendritura, kolegë e kolege të shkolluar, ose ta leme fare këtë punën e barazise gjinore ose ta fillojme aty ku duhet nisur nga ZERO!