Një operacion riatdhesimi është zhvilluar sot nga Policia e Shtetit. 25 shqiptarë që kishin kaluar azil në vendet e BE janë riatdhesuar nga Lille e Francës në Rinas. Policia konfirmon se operacionet do të vijojnë edhe në muajt e ardhshëm teksa i bën apel gjithë shqiptarëve mos kërkojnë azil në vendet e BE-së pasi s’ka asnjë mundësi.
NJOFTIMI NGA POLICIA Policia e Shtetit Rinas Riatdhesohen 25 shtetas që kishin kërkuar azil në vendet e BE-së. Ditën e sotme, në Rinas, janë atdhesuar nga Lille, Francë, 25 shtetas shqiptarë që kishin kërkuar azil apo kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen. Operacioni i riatdhesimit është zhvilluar në bazë të një marrëveshjeje me autoritetet përkatëse të BE-së.
Operacione të tilla do të vijojnë edhe në muajt e ardhshëm, për të kthyer në vendin e tyre të gjithë shtetasit shqiptarë që kërkojnë azil apo nuk respektojnë rregullat e lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian. Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi nuk kanë asnjë mundësi për ta përfituar atë. Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për dokumentacionin dhe plotësimin e kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe do të forcojë patrullimet në kufirin e gjelbër.