Ish deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi kërkoi sot që rindërtimi i shtëpive të prishura nga tërmeti të bëhet aty ku janë banorët. Me anë të një deklarate për mediet, Kërpaçi tha se, “me urdhër të Bashkisë së Tiranës ka filluar prishja e pallateve në Kombinat. Banorët po nxirren nga pronat e tyre, pa pasur asnjë kontratë dhe asnjë garanci juridike që nuk tjetërson pronën e tyre”. “Vendimi për prishje, pa garantuar banorët të cilët janë pronarë të ligjshëm të truallit është totalisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar”, tha ajo.
Sipas saj, “as qeveria dhe as Bashkia e Tiranës nuk mund të marrin vendime pa firmosur me banorët një kontratë se çfarë do të bëhet me truallin e këtyre godinave. Këta banorë përveçse janë pronarë të apartamenteve të banimit dhe bizneseve të tyre, në momentin që kanë privatizuar këto banesa kanë blerë dhe truallin dhe njihen ligjërisht si bashkëpronarë”. “Në këtë rast, Bashkia e Tiranës dhe çdo institucion tjetër nuk mund të marrë asnjë vendim mbi këto prona pa nënshkruar një kontratë me pronarët e ligjshëm të truallit”, theksoi Kërpaçi.
Ajo shtoi se, “shmangia e kësaj procedure nga Bashkia e Tiranës ka vetëm një synim: tjetërsimin e këtyre pronave për t’ia dhënë klientëve të saj dhe të qeverisë që të ndërtojnë kulla shumëkatëshe, ndërkohë që banorët e Kombinatit do të zhvendosen diku tjetër”. “LSI kërkon nga Bashkia e Tiranës që të ndalë sa më parë këto akte që cenojnë pronarët e ligjshëm të truallit në Kombinat. Në kërkojmë që zëri i banorëve të dëgjohet, që rindërtimi të kryhet në të njëjtin vend ku kanë banuar deri më tani këta banorë dhe jo të degdisen në zona të tjera”, tha ajo.